Grabitja e armatosur në pompën ‘Shell’ në Prishtinë: Zbulohen të dyshuarit, Policia zbarkon në shtëpitë e tyre

Pompat e derivateve jo rrallëherë janë cak i hajnave. Kjo dukuri po krijon pasiguri dhe frikë si për qytetarët ashtu edhe për punëtorët që punojnë në këto biznese Të dyshuarit pothuajse në shumicën e rasteve arrijnë të ikin, duke shpëtuar kështu nga prangat e Policisë. Kështu ka ndodhur edhe më një rast në fund të muajit dhjetor, të vitit të kaluar në pompën e derivateve ‘Shell’ në rrugën ‘Xheladin Hana’ në Prishtinë.



Pas një muaji hetime, Policia ka arritur t’i identifikojë tre personat e dyshuar, që kryen grabitjen, nën kërcënimin e armës dhe arritën t’i merrnin qindra euro para të gatshme dhe më pas u zhdukën. Ndonëse qëndruan në arrati nga 23 dhjetori, gjatë ditës së djeshme të njëjtit janë arrestuar dhe kanë përfunduar në mbajtje.

Gjatë aksionit për kapjen e tyre, Policia ka kryer edhe bastisje, me urdhëresë të lëshuar nga Gjykata, me ç’rast janë sekuestruar prova që do të shfrytëzohen si dëshmi në procedurë.

Burimet nga Prokuroria bëjnë me dije se bëhet fjalë për një të mitur, një 20 dhe një 23-vjeçar, të cilët po dyshohen se nën kërcënimin e armës kanë arritur që t’ia marrin punëtorit të gjithë pazarin ditor në vlerë të rreth 300 eurove.

Ndaj tyre është lëshuar urdhër për ndalim policor, teksa brenda afatit ligjor, Prokurori i Shtetit do të ndërmarrë edhe veprimet e tjera hetimore.

Related Articles