Grante në bujqësi përfituan edhe bizneset që nuk merren me këtë sektor

Grante në bujqësi përfituan edhe bizneset që nuk merren me këtë sektor

Në dy raporte të ndara, Instituti GAP ka analizuar se si kanë ndikuar grantet dhe subvencionet në prodhimin bujqësor, megjithëse këto dy hulumtime tregojnë se përkundër programeve dhe shumave që ndahen me rreth 48 milionë euro çdo vit për grante dhe subvencione, nuk janë arritur rezultatet e pritura.

Gjatë prezantimit të raportit “Ndikimi i subvencioneve dhe granteve në prodhimin bujqësor”, Jeton Mehmeti nga Instituti GAP theksoi se duke iu referuar edhe raporteve të auditorit, disa bizneset që nuk kanë qenë në sektorin e bujqësisë kanë përfituar nga programi i granteve për bujqësi.

Zyra Kombëtare e Auditorit ka vlerësuar se menaxhimi i sektorit të bujqësisë nuk është bërë në mënyrë të duhur.

Besnik Osmani auditor i përgjithshëm në Zyrën Kombëtare të Auditimit, theksoi procesi i monitorimit të rezultateve të granteve aktuale ka mangësi dhe nuk sigurojnë matjen e rezultateve dhe krijimin e zhvillimit të qëndrueshëm të këtij sektori.

Kryetarja e Komisionit për Bujqësi, Fitore Pacolli në këtë tryezë theksoi se arrestimet e fundit janë një rezultat i keqpërdorimeve të mëdha për grante dhe subvencione.

Deputetja nga VV, Pacolli theksoi se arrestimet e fundit në Ministri të Bujqësisë janë si rezultat i angazhimit dhe denoncimit nga deputeti i VV Salih Zyba për keqpërdorime në këtë sektor.

Pacolli shtoi se si Komision i Bujqësisë e kanë kuptuar se situata në bujqësi është alarmante, dhe mbeten të përkushtuar të fuqizojnë legjislacionin për bujqësi.

Ndërsa, ministri i Bujqësisë, Faton Peci, pavarësisht konfirmimit, nuk mori pjesë në këtë tryezë.

Related Articles