Greqi: Tentojnë të vetëvriten prindërit e foshnjës që vdiq pasi babai e harroi atë në makinë

Greqi: Tentojnë të vetëvriten prindërit e foshnjës që vdiq pasi babai e harroi atë në makinë

Një tragjedi në Artë të Greqisë ka ndodhur dje kur një foshnjë e harruar për disa orë në makinën e babait, ka ndërruar jetë. Pas lajmit për vdekjen e foshnjës së tyre, nëna dhe babai i foshnjës kanë tentuar të vetëvriten, raporton ‘Protothema’, transmeton Gazeta Enigma.

Prindërit e foshnjës që vdiq i harruar në makinën e babait janë shtruar në spital të shokuar.

Raportohet që babai 37-vjeçar që la për orë të tëra në makinë mesditën e së martës, foshnjën e tij 5.5 muajshe në makinë, ka tentuar të vetëvaret me kabllo televizori.

Përpjekja e 37-vjeçarit është bërë në momentin kur mjekët e spitalit të Artasit e kanë njoftuar atë dhe bashkëshorten e tij 27-vjeçare se me gjithë përpjekjet mbinjerëzore nuk kanë arritur të mbajnë gjallë foshnjën e tyre.

Edhe nëna e foshnjës është shtruar në spital nën sedacion medikamentoz dhe pasi mori vesh lajmin tragjik, sipas komandantit të Ministrisë së 6-të të Shëndetësisë, Yannis Karvelis, ajo u rrëzua nga ballkoni i spitalit.

Autopsia pritet të bëhet mëngjesin e sotëm në Spitalin Universitar të Janinës, për të zbardhur rrethanat në të cilat humbi jetën tragjikisht foshnja.

Prokurori i Artas ka proceduar dje babain 37-vjeçar, për vrasje nga pakujdesia.

Kronika e tragjedisë

Tragjedia ka ndodhur dje, të martën, kur 27-vjeçarja është nisur për në punë dhe 37-vjeçari ka marrë vajzën 5.5 muajshe për ta lënë në çerdhe dhe për të vazhduar punën e tij. Mirëpo, ai shkoi drejt e në punë, ku parkoi makinën, e mbylli atë dhe hyri në punë, duke harruar se foshnja ishte e lidhur me rrip në karriken e pasme të automjetit! Më pas ai mori një makinë kompanie për të shkuar në Lefkada ku e dërgoi shërbimi i tij.

Kur gruaja e tij shkoi në çerdhe për të marrë foshnjën, ajo mbeti e shtangur kur dëgjoi punonjësit e çerdhes që i thanë se foshnja nuk kishte qenë atë ditë. E mërzitur, ajo telefonoi të shoqin dhe me ankth e pyeti se ku ishte foshnja. Përgjigja e tij e bëri atë të ngrijë teksa ai i tha: “Hesht, e harrova fëmijën në makinë”!

37-vjeçari ka vrapuar menjëherë drejt makinës së tij dhe ka gjetur vogëlushen të lidhur me rripa në karrikën e saj, pa ndjenja dhe me shkumë nga goja. Ai e dërgoi menjëherë në spital, ku mjekët nisën përpjekjet për ta ringjallur. Por ishte tepër vonë për foshnjën fatkeqe, e cila tashmë kishte dhënë frymën e fundit. Në atë moment ka mbërritur nëna 27-vjeçare dhe ka marrë lajmin e hidhur nga mjekët, të cilët kanë njoftuar edhe komisariatin e Artës. /Gazeta Enigma

Related Articles