Grupi për Siguri dhe Barazi Gjinore e ka dënuar gjuhën fyese ndaj zëvendëskryetares së Kuvendit të Kosovës, Saranda Bogujevcit, duke bërë thirrje për respektimin e të drejtave të grave.
Bogujevci bëri bujë mediale kur foli për dëshirën për t’u bërë nënë pa pasur përkrah një partner, duke bërë që të ketë reagime të shumta fyese në adresë të saj.
“Grupi për Siguri dhe Barazi Gjinore (SGG) i dënon reagimet fyese dhe seksiste ndaj nënkryetares së Kuvendit të Kosovës Saranda Bogujevci, të bëra në rrjetet sociale pas një debati në Parlamentin e Kosovës që u zhvillua me 9 mars, ku u diskutua për të drejtat e grave për të lindur fëmijë përmes asistencës mjekësore”, thuhet në njoftimin e SGG-së.
“Disa nga mesazhet e shprehura në publik dhe në internet përbëjnë sulm ndaj grave në përgjithësi, dhe znj. Bogujevci në veçanti dhe mund të përbëjnë gjuhë të urrejtjes. Parlamenti nuk duhet të lërë hapësirë për diskurs ofendues që synon individë ose grupe të bazuara në karakteristika të qenësishme”.
Ky grup u thirr edhe në Konventën për Eliminimin e të Gjitha Formave të Diskriminimit të Grave që ngërthehet edhe në Kushtetutën e Kosovës, ku mbrohet e drejta e gruas për shëndetin riprodhues.
Për më tepër, ata kanë thënë se edhe Ligji për Barazi Gjinore e ndalon diskriminimin ndaj grave sa i përket shtatzënisë, amësisë e me radhë.
“Çështja e shëndetit riprodhues të grave definohet dhe sqarohet nga Konventa për Eliminimin e të Gjitha Formave të Diskriminimit ndaj Grave (CEDAW) e cila pasqyrohet në nenin 22 të Kushtetutës së Kosovës dhe si e tillë është drejtpërdrejt e zbatueshme. CEDAW njeh dhe mbron të drejtën e grave për shëndet, duke përfshirë shëndetin e tyre seksual dhe riprodhues”.
“Përveç kësaj, Ligji për Barazi Gjinore përcakton qartë se diskriminimi gjinor i drejtpërdrejtë ose i tërthortë është i ndaluar, duke përfshirë këtu trajtimin më pak të favorshëm të grave për shkak të shtatzënisë dhe amësisë, statusit martesor, kombësisë, racës, aftësisë së kufizuar, orientimit seksual, statusit social, besimit fetar, moshës ose çdo bazë tjetër e përcaktuar me ligj ose marrëveshje dhe instrumente ndërkombëtare në fuqi”.
“SGG u bën thirrje institucioneve përkatëse që të respektojnë angazhimet e tyre që rrjedhin nga dokumentet ndërkombëtare dhe të sigurohen që të gjitha gratë dhe vajzat të mbrohen nga diskriminimi dhe rastet e gjuhës së urrejtjes”.
Grupi për Siguri dhe Barazi Gjinore (GSBGJ) është grup i përbërë nga shumë palë, i kryesuar nga UN Women. Nënshkruesit e mëposhtëm janë anëtarë të GSBGJ dhe mbështesin këtë deklaratë publike: Organizatat ndërkombëtare dhe Ambasadat: UN Women, UNKT, UNMIK – United Nations Mission in Kosovo, IOM, Organizatat e grave dhe shoqërisë civile: Kosovo Gender Studies Center (KGSC), Kosovo Law Institute (KLI), SIT – Center for Counseling, Social Services and Research, Youth Initiative for Human Rights – Kosovo (YIHR-Ks), Institucionet e Kosoves: Agjencia per Barazi Gjinore (ABGj).