Në Komisioni për Buxhet, Punë dhe Transfere kanë raportuar përfaqësues të Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), raporton Gazeta Enigma.
Guvernatori i BQK-së Fehmi Mehmeti tha se janë në proces të liberalizimit të tregut bankar dhe të sigurimeve, derisa ka shtuar se roli i BQK-së është ta rrisë konkurrencën dhe stabilitetin.
Ai tutje tha se situata pandemike Kosovën në sektorin bankar e ka gjetur në gjendjen të shëndoshë.
“Sistemi financiar i Kosovës është i qëndrueshëm dhe kjo konfirmohet nga institucionet më kredibile. Kriza pandemike e gjeti sektorin bankar në Kosovë me një gjendje të shëndoshë. BQK-ja që nga fillimi i pandemisë ishte pjesë e grupit ndër institucional për hartimin e masave emergjente për ta hartuar planin e rimëkëmbjes”.
“Roli si BQK-së është që ta rrisim konkurrencën dhe ta ruajmë stabilitetin. Sa i përket tarifave kompanitë e sigurimeve, përmendet se ne kemi angazhuar ekspertë të Bankës Botërore dhe kjo është çështje që do të adresohet gjatë këtij viti”.
Ndërsa Sokol Havolli, zëvendësguvernator në BQK tha se niveli i çmimeve për herë të parë në industrinë e sigurimeve është përcaktuar në vitin 2001.
“Niveli i çmimeve për herë të parë dhe fundit në industrinë e sigurimeve është përcaktuar në vitin 2001, dhe nëse dëmi mesatar atëherë ka qenë 400 euro tash sillet rreth mbi 1 mijë euro”.
Eman Rrahmani nga VV-ja, tha se normat e interesit të bankave janë të papërballueshme për qytetarët.
“Normat e interesit janë të larta në sektorin financiar dhe marrësit janë shtresa më e varfër që nuk kanë një marrëdhënie pune, pse BQK nuk vepron për të përmirësuar situatën në këtë sektor, si shpjegohet që në rastin e primeve të sigurimet që shkojnë direkt te kompanitë ndërsa kur është pyetje për qytetarët qëndron e shpërbërë”.
Deputeti Bedri Hamza nga PDK-ja ka kërkuar që t’i përmbahen rendit të ditës. Këtë reagim Hamza e bëri menjëherë pas pyetjes së deputetit Rrahmani.
“Nëse i përmbahemi pikës së rendit të ditë për të cilën e kemi marr materialin unë po rekomandoj që t’i përmbahem rendit të ditës në të kundërtën, ne duhet të thërrasim në raportim çdo institucion, mirëpo unë po mendoj që ne t’i përmbahem rendit të ditës”. /Gazeta Enigma/