Ministrja në detyrë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT), Rozeta Hajdari, pas seancës gjyqësore lidhur me skandalin e Rezervave Shtetërore, për të cilin tashmë është ngritur aktakuzë, ka deklaruar se ndihet plotësisht e pafajshme, duke e cilësuar procesin si tendencioz nga ana e Prokurorisë.
“Përkundër që ndihem krejtësisht e pafajshme sepse është proces tendencioz duke shkelur çdo procedurë ligjore, duke qenë në kundërshtim me ligjin për rezervat shtetërore dhe ligjin për mbrojtjen e informacionit të klasifikuar ka iniciuar këtë aktakuzë ndaj meje”, tha ajo.
Hajdari ka insistuar se veprimet e Ministrisë lidhur me rezervat shtetërore kanë qenë të drejta, ndërsa ka akuzuar Prokurorinë Speciale për shkelje ligjore. Sipas saj, qytetarët e Kosovës nuk kanë arsye për shqetësim sa i përket konsolidimit të rezervës shtetërore.
“Më e rëndësishmja që dua të theksoj është se qytetarët e Kosovës nuk kanë nevojë të brengosen për konsolidimin e rezervës shtetërore që e kemi rritur në Qeverinë Kurti 2, për shumë fish në kohën më të vështirë kur ishte rezerva shtetërore e pa konsoliduar dhe jo në funksion të përgjigjes ndaj qytetarëve. Në kohën kur kufijtë ishin të mbyllur me shpërthimin e luftës në Ukrainë dhe në kohën më të vështirë, kur nuk kishte eksporte të produkteve bazike në vendin tonë. Pra, produkteve bazike, jetike për jetesën e qytetarëve tanë. Në këtë kohë të vështirë ne siguruam dhe konsoliduam rezervën shtetërore. Sa është e rëndësishme të përmendi se për këtë proces që është tejet e rëndësishme për qytetarët tanë, për sigurinë e popullit tonë, megjithatë prokuroria shkeli ligjin, siç e kam theksuar dhe më herët përkundër që ne kemi pasë dhe jemi në proces gjyqësor me operatorët që nuk kanë përmbushur detyrimet e tyre dhe është proces i hapur gjyqësor me këta operatorë. Tërësisht Prokuroria Speciale nuk po përfill ligjin, dhe po vazhdon pa përfillur procedurat e ligjit për rezervat shtetërore dhe informacionit të klasifikuar”, tha ajo.
Sipas Hajdarit, Prokuroria Speciale po vazhdon procedurat pa respektuar ligjin për rezervat shtetërore dhe mbrojtjen e informacionit të klasifikuar, pavarësisht se ndaj operatorëve që nuk kanë përmbushur detyrimet ekzistojnë procese të hapura gjyqësore.
