Deputeti Xhavit Haliti nga Partia Demokratike e Kosovës, ka reaguar ndaj deklaratës së ambasadorit amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, duke e cilësuar atë si një mesazh të mirëpritur, por problematik. Haliti theksoi se kjo deklaratë erdhi pas reflektimeve të kryeministrit Kurti në Bruksel dhe përbën një sinjal për qeverinë e Kosovës.
“Deklaratë e mirëpritur nga miqtë e Kosovës, e bërë një ditë pasi që Kurti bëri një deklaratë reflektuese lidhur me qëndrimet e deklaratat e veta publike të dhëna në Kryeqytetin e Evropës, Bruksel. Është deklarata e radhës dhe mesazhi i dhënë Kopshtit Politik të Qeverisë së Kosovës”, tha Haliti.
Haliti tha se është e papranueshme të bëhen deklarata si mysafir në shtëpinë e atij që ka ofruar ndihmë në momentet më të vështira. Ai e quajti këtë një veprim politikisht të gabuar që ka pasoja për qytetarët e Kosovës. Sipas tij, Kosova nuk duhet të dërgojë fatura për Perëndimin, ndërsa ata vazhdojnë të perceptojnë situatën e brendshme.
“Të bësh deklarata si mysafir në shtëpinë e të zotit të shtëpisë, i cili ta ka dhënë dorën kur s’ke pas fuqi të ecësh, të ka mbajtur “caca” e të ka shëruar plagët e luftës, i cili po të trajton si mik, është padituri dhe politikisht gabim që ka kostot e veta të cilat i kushtojnë e po i kushtojnë qytetareve të Kosovës. Ne s’mund ti dërgojmë ndonjë faturë Perëndimit, por ata neve po”, tha Haliti për FrontOnline.
Duke e lidhur situatën me procesin zgjedhor, Haliti nënvizoi nevojën për të respektuar sugjerimet e demokracive perëndimore.
“E kuptojnë të gjithë që Kosova është në proces zgjedhorë, e beteja për vota është e hapur për të gjitha palët, edhe pse ligjërisht fushata akoma s është shpallur, megjithatë fushata duhet të ketë konturat e veta, duke mos i tejkaluar ato, përmes të cilave ruajmë raportet me Perëndimin. Prandaj Kopshti Politik i Kosovës duhet të respektoj e zbatoj sugjerimet prindore të Baballarëve të demokracive Perëndimore”, potencoi Haliti.
Haliti theksoi se rruga e vetme përpara është dialogu, duke u distancuar nga retorika nacionaliste dhe thirrjet për konflikt.
“Rruga e jonë tani është dialogu e jo thirrjet për luftë, jo tregim i muskujve, por strategji e bazuar në politika realiste”, përfundoi Haliti.