Hamasi liron 4 ushtare izraelite në këmbim të 200 të burgosurve palestinezë

Hamasi liron 4 ushtare izraelite në këmbim të 200 të burgosurve palestinezë

Hamasi ia dorëzoi të shtunën Izraelit katër ushtaret izraelite të mbajtura rob në Gazë. Ndërkohë, Izraeli i liroi 200 të burgosur ose të paraburgosur palestinezë siç është paraparë në marrëveshjen e tyre për armëpushim në Rripin e Gazës.

Militantët e Hamasit – grupit të shpallur terrorist nga SHBA dhe BE – së pari i parakaluan ato nëpër “Sheshin Palestinez” në qendër të qytetit Gaza, para se t’i dorëzonin te Kryqi i Kuq, i cili i dërgoi ato më pas në Izrael.

Ndërkohë, Izraeli i liroi 200 të burgosur palestinezë, të cilët nuk do të lejohen të kthehen në Rripin e Gazës apo në Bregun Perëndimor, sipas televizionit shtetëror egjiptian, Qahera TV, i cili tha se ata mbërritën në pjesën egjiptiane të pikëkalimit kufitar të Gazës, Rafah.

Egjipti shërbeu si ndërmjetës kyç në bisedimet mbi njëvjeçare që çuan në marrëveshjen e armëpushimit.

Zyra e kryeministrit të Izraelit, Benjamin Netanyahu, e publikoi më vonë një video që shfaqte pengjet e liruara duke u mirëpritur në një bazë ushtarake izraelite.

Më vonë, zyra e Netanyahu tha se Arbel Yehoud, një penge civile e mbajtur nga Hamasi, duhej të ishte liruar të shtunën. Ajo deklaroi se Izraeli nuk do t’i lejojë palestinezët të fillojnë të kthehen në veri të Gazës, siç pritej të ndodhte të dielën, derisa ajo të lirohet.

Një zyrtar i lartë i Hamasit tha se grupi ka njoftuar ndërmjetësit se Yehoud do të lirohet javën e ardhshme.

Armëpushimi mes Hamasit dhe Izraelit ka synon t’i japë fund luftës më vdekjeprurëse dhe shkatërruese që është zhvilluar ndonjëherë midis tyre. Marrëveshja e brishtë nuk është shkelur deri më tani, dhe ka bërë që të ndalen sulmet ajrore dhe raketore dhe ka mundësuar hyrjen e më shumë ndihmave në territorin e vogël bregdetar.

Tri pengje të mbajtura nga militantët u liruan në këmbim të 90 të burgosurve palestinezë, të gjithë gra dhe fëmijë, fundjavën e kaluar kur hyri në fuqi armëpushimi.

Kush janë ushtaret dhe të burgosurit që po lirohen?

Katër ushtaret izraelite, Karina Ariev, 20 vjeçe, Daniella Gilboa, 20 vjeçe, Naama Levy, 20 vjeçe dhe Albag, 19 vjeçe, u u zunë rob gjatë sulmit të Hamasit më 7 tetor 2023, i cili shkaktoi luftën.

Në këmbim të tyre, Izraeli duhej t’i lironte 200 të burgosur, përfshirë 121 që po vuanin dënime të përjetshme, sipas një liste të publikuar nga Hamasi, raporton REL.

Ndër militantët më famëkeq që po lirohen janë Mohammad Odeh, 52 vjeç, dhe Ëael Qassim, 54 vjeç, të dy nga Jerusalemi Lindor.

Ata akuzohen për kryerjen e një sërë sulmesh vdekjeprurëse të Hamasit kundër izraelitëve, përfshirë një sulm me bombë në një mensë në Universitetin Hebraik të Jerusalemit në vitin 2002, ku u vranë nëntë persona, përfshirë pesë shtetas amerikanë.

Katër ushtaret e liruara u kapën në bazën Nahal Oz pranë kufirit me Gazën, kur militantët palestinezë e pushtuan atë, duke vrarë më shumë se 60 ushtarë atje.

Related Articles