Kryetari i PDK-së, Bedri Hamza ka kujtuar 27-vjetorin e ndërhyrjes ushtarake të NATO-s në Kosovë.
Si çdo vit, edhe këtë herë, Hamza nderoi heronjtë, dëshmorët dhe martirët e luftës, dhe njëkohësisht i falënderoi të gjithë ata që qëndruan në anën e së vërtetës.
Përmes një postimi në Facebook, Hamza tha se bombardimet e NATO-s u koordinuan edhe me UÇK-në, me Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Jakup Krasniqin, Rexhep Selimin dhe bashkëluftëtarët e tyre, aleatët tokësorë të NATO-s, “të cilët sot po gjykohen në Hagë dhe po trajtohen sikur të mos kishte ekzistuar arsyeja për ndërhyrjen e Aleancës Veriatlantike”.
Ai shtoi se mirënjohja e Kosovës për NATO-n është e përjetshme, sepse, sipas tij, ato ditë vendosën fatin e vendit dhe ishin vendimtare në rrugën drejt lirisë.
“Nga 24 marsi 1999 deri te sfidat e sotme, rruga jonë mbetet e njëjtë: në anën e së vërtetës. Ne nuk harrojmë. Ne nderojmë. Dhe mbi të gjitha, vazhdojmë ta mbrojmë lirinë që u fitua me shumë sakrificë! NATO, faleminderit përjetësisht!”, ka shkruar i pari i PDK-së.
