Hamza: Po, Fatmir Limaj do ta mbështesë PDK-në për zgjedhjet e 7 qershorit

Hamza: Po, Fatmir Limaj do ta mbështesë PDK-në për zgjedhjet e 7 qershorit

Kryetari i PDK-së, Bedri Hamza ka njoftuar se kreu i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj do ta mbështesë atë për zgjedhjet e 7 qershorit.

Në një postim në rrjetin social, Hamza ka ndarë fotografi së bashku me Limajn, duke thënë se PDK-ja do ta ketë mbështetjen e tij për zgjedhjet e 7 qershorit dhe jo vetëm.

“Po, Fatmir Limaj do ta mbështesë Partinë Demokratike të Kosovës në zgjedhjet e 7 qershorit – dhe jo vetëm. Me Fatmirin na kanë bashkuar vlera, ideale dhe përgjegjësia për vendin. Të njëjtat vlera po na afrojnë dhe po na ribashkojnë sërish sot, në një moment kur Kosova ka nevojë më shumë se kurrë për bashkim, seriozitet dhe bashkëpunim në interes të qytetarëve. Këto janë vlera që i ndajnë edhe elektorati ynë dhe ai i NISMA-s.”, ka shkruar Hamza.

Ai ka thënë se kjo mbështetje është një hap i rëndësishëm drejt një bashkëpunimi afatgjatë politik, institucional, qeverisës dhe partiak, për stabilitet, zhvillim dhe një Kosovë më të fortë.

“E falënderoj mikun tim të vjetër, Fatmirin, për korrektësinë, mbështetjen dhe gatishmërinë për t’u bërë pjesë e këtij rrugëtimi të përbashkët. Mbështetësve tanë anekënd Kosovës dhe në diasporë ua them vetëm një gjë: më 7 qershor, bashkë do t’i themi STOP krizës dhe do ta ndryshojmë Kosovën!”, ka shkruar Hamza.

Related Articles