U mbajt në Prishtinë tryeza e “Dialogut Ndërfetar” të premten.
Zef Gashi, president i Fondacionit Drita – fondacion ky që organizoi tryezën – ka bërë thirrje që njerëzit të përfshihen në dialog, të mos bëhen dallime dhe të ruhet paqja.
“Synimi ynë është që të forcojmë të përbashkët pa cenuar të dallueshmen. Duhet të forcojmë atë që na bashkon ndërsa dallimet të mos dominojnë mbi dashurinë.. Synojmë që kjo tryezë të vazhdoj edhe në vitet e ardhshme sepse jemi të bindur që paqja nuk është një gjendje statike por një model jete që duhet kultivuar nga të gjithë. Pikërisht në këtë kohë kur bota përballet me sfida të shumta ne sot dërgojmë një mesazh të qartë, dialogu është rruga e vetme për të ndërtuar një shoqëri të drejtë, të barabartë dhe paqedashëse”, ka thënë Gashi.
E, kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, ka thënë se historikisht në asnjë moment nuk ka pasur konflikt me bazë fetare në popullin shqiptar. Ka theksuar se dialogu ndërfetar nuk do të gjente vend tjetër më të përshtatshëm për t’u hapur se në Kosovë.
“Është vërtetë për tu studiuar qysh nuk mund të gjendet asnjë tronditje në shoqërinë tonë, në popullin tonë që është me bazë fetare.. të rrallë janë popujt që kanë pasur imunitet. Modeli shqiptar duhet të përdoret duhet te përhapet… është pasuri që e kemi. Të jetosh bashkë është shumë më shumë se sa ta tolerosh tjetrin. Nuk ka vend në botë i cili mundet me pas rehati, paqe, stabilitet dhe prosperitet nëse shumica është kundër kësaj”, ka thënë ai.
Delegati apostolik i Vatikanit, Jean Marie Speich, është shprehur se modeli shqiptar duhet të jetë shembull për të gjithë kontinentin sa i përket tolerancës fetare.
“Zgjidhja e lumturisë e bashkëjetesës nuk është vetëm në aspektin politik por në dialog në bashkekzistencës paqësore në mes të përfaqësuesve të kulturave të ndryshme e feve që janë në Ballkan. Selia e shenjtë e promovon dialogun ndërfetar për një kohë të gjatë. Rruga drejt paqes është toleranca dhe dialogu dhe për këtë arsye Selia e Shenjtë është e interesuar në modelin shqiptar sepse ju e keni në kulturë tuaj me shekuj një mënyrë për të qenë, ku e keni promovu me shekuj duke pas momente te nivelit të lartë”.