Qeveria e Kosovës ka kohë që po flet për hapjen e urës kryesore mbi Ibër, e cila e ndan qytetin e Mitrovicës në dy pjesë.
Mirëpo një gjë të tillë nuk po e pëlqejnë serbët, banorë të asaj ane.
Sipas agjencisë serbe të lajmeve “Tanjug”, serbët nga veriu i Kosovës do të mblidhen nesër në një protestë “të qetë dhe demokratike”.
Tubimi do të mbahet në orën 11:00 në sheshin “Vëllezërit Miliq” i cili gjendet në afërsi të Urës së Ibrit.
Siç raporton kjo agjenci serbe e lajmeve, “serbët nga Kosova janë të shqetësuar për sigurinë e tyre pas paralajmërimit të Prishtinës për hapjen e njëanshme të urës, por edhe për shkak të veprimeve të përditshme eskaluese të Prishtinës dhe presin që do t’i mbrojë KFOR-i”.
Kundër idesë së hapjes së Urës së Ibrit janë deklaruar edhe partnerët ndërkombëtarë të Kosovës (ShBA-ja dhe BE-ja).
Megjithatë, qeveria ka ndarë 10 mijë euro për të testuar urën në fjalë.
Edhe KFOR-i në ndërkohë është deklaruar për këtë çështje.
“Ne nuk do të hezitojmë të trajtojmë çdo zhvillim që mund të ndikojë në mjedisin e sigurisë dhe stabilitetin rajonal, në respekt të plotë të mandatit tonë të OKB-së”. /Gazeta Enigma