Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka thënë se partia e tij po dëshmohet si “subjekti politik me mbështetjen më të fuqishme nga bashkatdhetarët tanë në Gjermani”, njofton Gazeta Enigma.
“Momentumi pozitiv për Aleancën në diasporë u manifestua edhe sot me krijimin e nëndegës së Güpingenit në Baden-Württemberg të Gjermanisë. Në frymën që diaspora të jetë pjesë aktive e vendimmarrjes në Kosovë, u zgjodhën edhe strukturat drejtuese të kësaj nëndege”, shkroi Haradinaj në një postim në Facebook.
Ish-kryeministri tha se diaspora jonë ndërlidhet me çdo etapë historike të Kosovës dhe vazhdon edhe sot të jetë forcë e atdheut.
“Ata kanë një adresë, Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës, e cila po fuqizohet çdo ditë falë punës së shkëlqyer të strukturave të saj, sikurse këtu në Gjermani, ku Ukë Blaka me bashkëpunëtorë Aleancën e kanë shndërruar në forcën kryesore politike”, shkroi tutje Haradinaj.
“Shpagimi më i mirë për kontributin e tyre të çmueshëm është ndërtimi i një Kosove të fortë politikisht dhe ekonomikisht, të anëtarësuar në NATO, si kontribuse e paqes, që fuqizon kështu edhe njerëzit e saj kudo në botë. Të gjitha strukturave që sot morën pozitat drejtuese në Aleancë, në shtetin i cili në çdo periudhë ka qenë krah i fortë për Kosovën, ju urova sukses dhe ofrova mbështetjen time të plotë”, tha në fund Hardinaj. /Gazeta Enigma