Veterani i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Nasim Haradinaj, ka deklaruar se fjalimin e tij në marshin e 1 tetorit në Prishtinë e ka mbajtur pa qenë pjesë e agjendës së organizatorëve.
Në një intervistë për KosovaLive, Haradinaj tha se organizatorët nuk ia kishin dhënë fjalën dhe se ishte ngjitur në skenë me forcë për t’iu drejtuar protestuesve.
“Unë nuk kam hyrë spontanisht, por kam hyrë bashkë me dhunë. Fjala më është cenuar që nga dita e parë e protestave dhe deri tash asnjëherë nuk më është dhënë. Atë ditë fjalën e kam marrë me dhunë, me zor kam hipur në skenë, përkundër organizatorëve”, tha Haradinaj.
Ai pretendoi se arsyeja pse nuk i është dhënë fjala në protestat e mëparshme lidhet me frikën nga konkurrenca.
Haradinaj theksoi se nuk ka qenë pjesë e organizimit të protestave, por tha se ka marrë pjesë si përkrahës i qytetarëve.
“Ata që deshën të ma ndalin fjalimin dhe që kurrë nuk më thanë ta marr fjalën, tashmë e kanë marrë një leksion që në të ardhmen të mos mundohen të nxjerrin lidership të ri”, u shpreh ai.
Haradinaj ishte një nga folësit në protestën e 1 tetorit në Prishtinë, ku mijëra qytetarë u mblodhën kundër aktgjykimit të Dhomave të Specializuara ndaj ish-krerëve të UÇK-së.
