Rinumërimi i pjesshëm i votave të kandidatëve në zgjedhjet e 28 Dhjetorit ka nxjerrë në pah skema manipulimi të përmasave shqetësuese, ka thënë kreu i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, raporton Gazeta “Enigma”.
Sipas tij, procesi i zgjedhjeve është i dëmtuar që nga fillimi dhe pas gjetjeve të rinumërimit, vota duhet të rinumërohet një për një, shkruan Gazeta Sinjali.
“Rinumërimi i pjesshëm i votave të kandidatëve po e nxjerr në shesh një skemë manipulimi të përmasave shqetësuese të votës së qytetarit. Procesi i këtyre zgjedhjeve qysh sot është lënduar dhe pas këtyre gjetjeve, vota duhet të rinumërohet një për një. Pa rinumërim të tërësishëm, nuk sigurohet integriteti i këtyre zgjedhjeve”, ka shkruar Haradinaj.
Ai shpreh habinë e tij se Prokuroria nuk është vënë në veprim që nga fillimi i rinumërimit.
“E habitshme qysh Prokuroria nuk është vënë në lëvizje qysh sot. Demokracia nuk mund të jetë viktimë e një grushti hajdutësh. Apeloj tek të gjithë mekanizmat që me vendimet e veprimet e tyre ta mbrojnë votën e qytetarit dhe ta rikthejnë integritetin e zgjedhjeve të 28 Dhjetorit. Çdo drejtim tjetër do të kishte pasoja të pariparueshme!”, tha Haradinaj.
