Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj ka kritikuar ashpër kryeministrit Albin Kurti, duke e akuzuar atë dhe qeverinë e tij për tenderomani, tenderë njëburimor, klientelizëm, politizimit të bordeve dhe punësimeve të familjarëve të funksionarëve të partisë së tij.
“A ka kryeministri ndonjë koment? 56000 qytetarë të Kosovës për një muaj kanë aplikuar për viza pune për të dalë jashtë vendi, vetëm në njërën nga ambasadat”, ka shkruar Haradinaj.
“Përse kjo heshtje? A nuk ishit ju qeveria e shpresës? Përse kaq shumë qytetarë ia mësyejnë ta lëshojnë vendin? “.
“Ata duan të ikin sepse qeveria nuk po tregon aftësi për ringjalljen ekonomike, përkundrazi, po e fundosë dita ditës edhe më shumë ekonominë edhe ashtu në krizë”, thuhet tutje në postimin e deputetit në Facebook.
“Qytetarët po ikin nga vendi sepse kjo qeveri e ky kryeministër po tentonjnë që Kosovën ta shndërrojnë në Venezuelë. Me politikat majtiste ekstreme, ngjalljen e sentimentit anti-amerikan, ata po shkojnë rrugës së Chavez-it”, u shpreh Haradianaj.
Haradinaj tha se qytetarë të profesioneve të ndryshme po duan ta lëshojnë vendin, sepse qeveria Kurti nuk e ka në agjendë ligjin e pagave por luftën kundër sindikatave.
“Në fakt, kjo qeveri po e lufton secilin që nuk mendon si kreu i saj, por kjo do t’i kthehet bumerang dhe nuk do të mund ta shpëtojnë militantët imagjinarë të internetit”, tha ish-kryeministri.
“Mbi 50 mijë qytetarë po tentojnë ta braktisin vendin. Ky është një fakt pikëllues, është një alarm për Kosovën. Është tregues se kjo qeveri, nuk ka as vizion, as dije e as veprime qeverisëse”, përfundoi Haradinaj./Gazeta “Enigma”/