Lideri i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj ka folur për shtyrjen e vendimit për reciprocitetin me targa dhe letërnjoftime me Serbinë.
Në një deklaratë për media, Haradinaj tha se Qeverisë po i mungon vizioni sa i përket menaxhimit të situatës në veri të vendit. Sipas tij, kjo praktikë duhet të ndalet.
“Ajo që na shqetëson është mungesa e një vizioni të kësaj Qeverie që mos të na përsëritet e njëjta situatë që kur të shkojmë në veri e pastaj duhet me na tërheq ndërkombëtarët me na nxjerrë. Është bërë një praktikë e keqe fshehja pas debatit publik me Listën Serbe nuk e shtyn datën 1 shtator”.
Haradinaj, foli edhe për deklarimet e fundit të Listës Serbe dhe reagimin qeveritar.
Ai shtoi se po të ishte në krye te Qeverisë nuk do të merrej me Listën Serbe, por me krijimin e kushteve më të mira për pjesëtarët e Policisë së Kosovës.
“Po të isha unë kryetar Qeverie unë nuk isha marrë me këto debate, por e kisha ngrit moralin e trupave, kisha shkuar me rritje page e beneficione, pasi që ata kur shkojnë në veri ata përballen edhe me vdekje”, u shpreh Haradinaj.