Kryetari i AAK-së Ramush Haradinaj, ka reaguar pas takimit të kryeministrit Albin Kurti me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq në Bruksel.
Në një shkrim në llogarinë e tij në Facebook, ai e ka quajtur takim koti, duke thënë se të dyja palët po e mashtrojnë popullin me retorika populiste.
“Edhe një takim koti i dialogut Kosovë-Serbi. Secila palë ka veç një interes, që me retorika populiste ta mashtrojë popullin e vet në prag të zgjedhjeve”, tha ai.
Tutje theksoi se kryeministri i Kosovës ka vendosur që të mos bëjë asgjë në këtë proces, pasi sipas tij dialogu pa SHBA-në, është i vdekur.
“Ai nuk po don me e kuptu se pa përfshirjen e SHBA, dialogu është i vdekur. Ai nuk po don me e kuptu se me Borelin e Lajçakun është në qorrsokak”, u shpreh Haradinaj.
Sipas tij, sa më larg të shtyhet përfshirja e një emisari amerikan në dialog, dëmi do të jetë më i madh, edhe për Kosovën edhe për Kryeministrin!
“Po të ishte Amerika në dialog, tashmë do të ishim në prag të marrëveshjes përfundimtare! A ka njeri që mund t’ia shpjegojë këtë Albin Kurtit!?”, shkroi Haradinaj.