Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka komentuar vizitën e William Burns, kreut të Agjencisë Qendrore Amerikane të Inteligjencës (CIA), në Kosovë.
Sipas Haradinajt, Burns nuk është takuar me kryeministrin kosovar, Albin Kurti, për shkak të një bllokade të vendosur nga institucionet amerikane ndaj këtij të fundit.
Në këtë rast sipas Haradinajt, për shkak të përkeqësimit të marrëdhënieve të Shteteve të Bashkuara, Burns është takuar vetëm me shefin e Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë (AKI), Petrit Ajetin dhe presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani.
“Tani agjenda, një agjendë e këtillë është krejtësisht e rregulluar, shumë më kohë edhe po është praktik një gjë e tillë (të takohet me kryeministrin e një vendi). Mirëpo në rastin tonë kjo ndryshon për shkak të përkeqësimit të marrëdhënieve dhe bllokadës që ia kanë bërë institucionet e Amerikës kryeministrit Kurti. Pasi për rastësi, Kurti s’është këtu, takohet me shefin e AKI-së dhe me presidenten”, ka thënë Haradinaj në RTV Dukagjini.
Aktualisht, kryeministri Kurti ndodhet në Shtetet e Bashkuara, ku po merr pjesë në Konventën Kombëtare Demokratike.