Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka thënë se plani franko-gjerman i trajton dy çështje, siç është Asociacioni i komunave me shumicë Serbe dhe çështjen e Kishës Serbe në Kosovë.
Ish-kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, në emisionin Personale të RTV Dukagjini, ka shpalosur detajet e propozimit të draftit franko-gjerman, që sipas tij është për rregullimin e marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë.
Ai ka thënë se një dokument i tillë siç është drafti franko-gjerman si bazë e ka kartën e Organizatës së Kombeve të Bashkuara(OKB).
“Janë dy tema që janë pjesë e dialogut. Është Asociacioni i komunave me shumicë serbe dhe çështja e Kishës Serbe. Të dy këto tema janë opsion. Dhe opsioni për Asociacionin është ai kushtetues, pra nuk diskutohet për një formë të veçantë të Asociacionit”.
“Por, theksohet zbatimi i obligimeve të marruar më herët, dhe nuk ka diçka të re në asociacion, që i bie, duhet që të respektohet edhe vendimi i Gjykatës Kushtetuese”.
I pari i AAK-së, Ramush Haradinaj gjithashtu ka thënë se për statutin e Kishës Serbe nuk ka diçka konkrete se çfarë do të diskutohet.
“Ne e kemi të rregulluar statusin e bashkësive fetare me ligji”, ka thënë ai, duke shtuar se Serbia do të tentojë që të zgjerojë kompetencat e kishave serbe.
Haradinaj ka përfunduar duke treguar se në draftin franko-gjerman nuk diskutohet për pasuritë natyrore të Kosovës, siç janë Trepça dhe liqeni i Ujmanit.
Kreu i AAK-së ka thënë se në të kaluarën ai kishte qenë i shqetësuar me çështjen e Asociacionin të komunave me shumicë serbe, por tani nuk është më, pasi ka një vendim të Gjykatës Kushtetues, ku e ka bërë të ndihet i sigurt.
“I kemi fituar disa garanci se Asociacioni nuk është një Republikë Srpska, apo diçka e tillë, por është një organizim ndërkomunal në kuadër të Kushtetutës dhe ligjeve të Kosovës. Kjo na jep një garanci, por duhet kujdes ”, ka theksuar Haradinaj.
“Në mënyrë se si është e dakorduar, nuk e rrezikon Kosovën. Nuk na sjellë pasoja në funksionim, për shkak se e kemi vendimin e Gjykatës Kushtetues që e definon dhe nuk e lejon të dal mbi ligjet, Kushtetutën, mbi rregullimin tonë të pushteteve, ku nuk ka pushtet të tret por, ka vetëm në nivelin nacional dhe komunal”, ka thënë Haradinaj.
Më tej, ai ka treguar se si duhet të implementohet Asociacioni i komunave me shumicë serbe.
“Don kujdes gjatë gjithë rrugës, edhe kur hartohet statuti i Asociacionit të komunave me shumicë serbe, edhe kur aprovohet statuti, gjithashtu edhe kur do të ndodhë implementimi, duhet kujdes nga tendenca e Serbisë dhe serbëve që dëshirojnë të ketë dy kuptime të përgjegjësive”, ka theksuar Haradinaj.