Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu e ka vlerësuar lajm të mirë vendimin për dënimin me burgim të përjetshëm të kriminelit të luftës dhe njërit ndër udhëheqësit e gjenocidit në Bosnjë, Ratko Mlladiq, raporton Gazeta “Enigma”.
Ajo përmes një shkrimi në Facebook tha se ky është sigurisht lajm i mirë jo vetëm për mijëra familje që kanë humbur më të dashurit e tyre, por edhe për vet drejtësinë ndërkombëtare.
“Për këtë krim nuk është fajtor vetëm Mlladiq, por edhe vet Serbia si përgjegjësja dhe planifikuesja e këtij gjenocidi. Shteti i Serbisë nën udhëheqjen e Sllobodan Millosheviqit ka kryer gjenocid edhe në Kosovë, përveçse paraprakisht në Bosnjë. Krimet e kryera në këto dy vende nuk janë individuale, ato i gjejmë të planifikuara e urdhëruara nga vet shteti serb”, shkroi ajo.
Ajo thotë se Kosova duhet të përgatisë mirë padinë për Gjenocid ndaj Serbisë, në mënyrë që drejtësia të vihet në vend për mijëra të vrarë, mijëra gra e burra të dhunuara.
“Në këtë drejtim është e domosdoshme që krahas evidencës shtetërore përmes Institutit për Krimet e Luftës dhe fuqizimit të institucioneve të drejtësisë për adresimin e krimeve të luftës, të përgatisim mirë edhe Padinë për Gjenocid ndaj Serbisë në mënyrë që drejtësia të vihet në vend për mijëra të vrarë, mijëra gra e burra të dhunuara, mijëra shtëpi të djegura e shkatërruara e shumë pasuri të plaçkitur e vjedhur dhe një popull të tërë të përzënë nga trojet e tyre”, shkroi ajo.
Mlladiq u dënua me burgim të përjetshëm sot në Hagë. Leximi i vendimit zgjati rreth një orë.
Dhoma e Apelit hodhi poshtë të gjitha ankesat e paraqitura nga mbrojtja e Mlladiqit. Më 22 nëntor 2017, krimineli Mlladiq u shpall fajtor për herë të parë, për dhjetë nga 11 pikat e aktakuzës.