Haxhiu flet për procesin në Speciale, i përmend paratë që i ka paguar shteti për ta

Haxhiu flet për procesin në Speciale, i përmend paratë që i ka paguar shteti për ta

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu ka deklaruar se institucionet e Kosovës besojnë në pafajësinë e ish-krerëve të UÇK-së që po gjykohen në Hagë.

Ajo në deklaratën e saj ka përmendur edhe shumën e parave që Qeveria e Kosovës ka paguar deri më tani për ekipet mbrojtëse të ish-krerëve në Hagë.

“Sa i përket Gjykatës Speciale, besoj që të gjithë e dini qëndrimin tonë, e dini. Edhe aso kohe kemi kërkuar që të fuqizohen institucionet e drejtësisë. Argumentet tona nuk janë marrë parasysh, i kemi dërguar deri në Gjykatën Kushtetuese siç e dini, por nuk kemi arritur që t’i largojmë”, ka deklaruar Haxhiu.

Haxhiu ka deklaruar se si institucione duhet të kenë kujdes në deklarime tash që gjykimi ka filluar.

“Sikur të kishte përpjekje që të fuqizoheshin institucionet do të ishim në një situatë të re. Tani që gjykimi ka nisur, institucionet duhet që të jenë të të kujdesshme nga deklarimet tona, kjo është sepse po e shohim atë që po e bëjnë televizionet tona pasi ka filluar gjykimi” shtoi ministrja Haxhiu.

Në fund, ministrja ka thënë se shpreson që ish-krerët e UÇK-së të kthehen sa më shpejtë.

“Ne besojmë në pafajësinë e tyre dhe shpresojmë që sa më parë ata të kthehen. Lufta jonë ka qenë e drejtë për çlirim. Deri tani janë 18 milionë euro që qeveria e Kosovës ka dhënë për mbrojtjen e tyre”, tha ajo.

Kujtojmë se Qeveria e Kosovës ka qenë shpesh herë cak i kritikave për shkak të mos deklarimit për ish-krerët e UÇK-së që mbaheshin në paraburgim në Hagë. /

Related Articles