Kryetarja e Kuvendit të Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu, nesër, më 16 nëntor, do të udhëtojë për në Bruksel, ku do të marrë pjesë në Konferencën Botërore për e-Parlamentin (World e-Parliament Conference).
Sipas njoftimit, konferenca do të mbahet më 17 dhe 18 nëntor në Parlamentin Evropian dhe organizohet nga Unioni Ndërparlamentar dhe Parlamenti Evropian.
“Konferenca mbledh deputetë, sekretarë të përgjithshëm dhe zyrtarë të lartë të parlamenteve nga e gjithë bota. Tema qendrore e këtij edicioni është forcimi i demokracisë dhe i institucioneve parlamentare përmes transformimit digjital, me theks të veçantë në përdorimin e inteligjencës artificiale.”, thuhet në njoftimin e policisë.
Në njoftim thuhet se gjatë qëndrimit në Bruksel, kryetarja Haxhiu do të zhvillojë takime me presidenten e Parlamentit Evropian, Roberta Metsola, dhe kryetarin e Senatit të Belgjikës, Vincent Blondel, si dhe me deputetë të Parlamentit Evropian dhe zyrtarë të tjerë të lartë.
“Në këto takime do të diskutohet për thellimin e bashkëpunimit ndërparlamentar, për perspektivën evropiane të Kosovës dhe për kërkesën e vendit për anëtarësim në Bashkimin Evropian.”, thuhet mes të tjerash në njoftim.
