Kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, u deklarua sot rreth çështjes së pagave kalimtare për deputetët, shkruan Gazeta Enigma.
Para mediave, ajo tha se kjo çështje mbetet e rregulluar me ligj, por sipas saj nuk është e drejtë që një deputet që mund të mos e ushtrojë mandatin as gjashtë muaj e të përfitojë pagë kalimtare deri në një vit pas shpërndarjes së legjislaturës.
“Është çështje diskutuese më pas nëse është e drejtë apo jo, sepse nuk ka kuptim që një deputet të mos mbajë këtë post as gjashtë muaj dhe të marrë pagë kalimtare një vit sa e parasheh legjislacioni në fuqi. Unë jam e gatshme në të ardhmen që nëse ka iniciativa që dëshirojnë t’i ndryshojnë këto rregullime ligjore që ne kemi gjetur prej kohësh këtu, jemi shumë të hapur që t’i diskutojmë. Nuk është e drejtë, por është e bazuar në legjislacionin në fuqi. Për mua nuk është e drejtë”, është shprehur ajo. / Gazeta Enigma.
