Kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, ka folur rreth çështjes së zgjedhjes së Presidentit të ri të Kosovës, duke thënë se “duhet konsensus” nga secila parti.
“Fryma është qartësisht frymë konsensusi. Asnjë palë e vetme nuk mund ta bëjë. Prandaj duhen diskutime të sinqerta, me kërkesa të arsyeshme dhe jo barrikada të së kaluarës. Si kryetare e Kuvendit, mirëpres diskutimet dhe takimet që kanë nisur ndërmjet partive politike. Mbështes gjithashtu çdo përpjekje serioze për dialog konstruktiv ndërmjet palëve politike, me qëllim gjetjen e një kandidature që bashkon”, tha Haxhiu.
Ajo tutje tha se qytetarët presin rezultate, reforma, por edhe stabilitet.
“Zvarritja e proceseve apo futja e vendit në një cikël të ri zgjedhor do të ishte një kosto e panevojshme politike, por po ashtu edhe institucionale. Pra, edhe njëherë që t’i kthehem çështjes: Ne jemi pyetur se pse Kryesia e Kuvendit nuk po procedon me thirrjen e seancës për zgjedhjen e presidentit apo presidentes. Ne si Kryesi e Kuvendit nuk mund të veprojmë për sa kohë nuk kemi nominime, pra kandidatë të cilët i kanë nga 30 nënshkrime të deputetëve të Kuvendit të Republikës së Kosovës. Në momentin kur ne do t’i kemi, do të mblidhem”, sqaroi e para e Kuvendit.
