Haxhiu: UÇK-ja ishte ushtri mbrojtëse e një populli që kërkonte liri në tokën e vet

Haxhiu: UÇK-ja ishte ushtri mbrojtëse e një populli që kërkonte liri në tokën e vet

Kryetarja e Kuvendi i Kosovës, Albulena Haxhiu, iu drejtua qytetarëve gjatë seancës solemne të mbajtur në nder të Ditës së Pavarësisë, shkruan Gazeta Enigma.

“Sot shënojmë 17 shkurtin, Ditën e Pavarësisë së Kosovës, Pavarësi që u bë e mundur falë përpjekjeve dhe sakrificave të vazhdueshme të popullit shqiptar, pavarësisë që u arrit përmes luftës për çlirim, gjakut të shumë heronjve që ranë ndër breza, që ne të jemi sot ku jemi këtu”, tha Haxhiu.

Ajo theksoi se populli shqiptar përkulet me respekt të thellë para të gjithë atyre që dhanë gjithçka për lirinë e vendit, duke bërë të mundur që sot kjo ditë të festohet.

“Përkulje e përjetshme për ata që dhanë jetën për lirinë e vendit, para dëshmorëve dhe martirëve, para atyre që përjetuan dhunë në forma të ndryshme, para familjeve që ende mbajnë dhimbjen e luftës, dhe të gjithë atyre që edhe sot kërkojnë drejtësi. Përkulje para të gjithë atyre që qëndruan dhe nuk u dorëzuan asnjëherë, që ne sot të jetojmë të lirë”, tha kryeparlamentarja.

Në fjalimin e saj, Haxhiu përmendi edhe luftën e drejtë të Ushtria Çlirimtare e Kosovës.

“UÇK-ja ishte ushtria mbrojtëse e një populli që kërkonte të jetonte i lirë në vendin e vet, pa pasur synim shkatërrimin e askujt tjetër. Dhe çdo përpjekje për ta shkëputur këtë luftë nga konteksti i saj historik dhe politik, rrezikon ta shtrembërojë të vërtetën e asaj kohe”, u shpreh Haxhiu.

Related Articles