Haxhiu viziton familjen e Hamide Magashit, zotohet për zbardhjen e rastit (FOTO)

Haxhiu viziton familjen e Hamide Magashit, zotohet për zbardhjen e rastit (FOTO)

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu ka qëndruar sot për vizitë tek familja Magashi, ku Hamide Magashi së bashku me fëmijën ende të palindur, ditë më parë u vra në oborrin e Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) nga ish-bashkëshorti saj, Sokol Halili.

Telegrafi ka siguruar fotografitë nga vizita e Haxhiut tek familja Magashi në Lipjan.

Ndërkaq, ministrja Haxhiu në një prononcim për Telegrafin u zotua që nuk do të lënë gurë pa lëvizur deri në zbardhjen e plotë të rastit.

“Po, së bashku me kabinetin dhe deputetë ishim tek familja e të ndjerës Hamides, për ngushëllime. Dhimbje e madhe si për familjen ashtu edhe për ne. Përveç shprehjes së ngushëllimeve, u zotova që puna në adresimin e papërgjegjësisë do të vazhdojë dhe nuk do të lëmë asnjë gur pa lëvizur derisa secili që nuk ka kryer punën në bazë të kompetencave të ndëshkohet për këtë”, tha Haxhiu.

Hamide Magashi u vra të mërkurën mbrëma në oborrin e QKUK-së, derisa Policia ishte vënë në kërkim të ish-bashkëshortit, por ky i fundit të premten, në ditën kur po varrosej 35-vjeçarja, ai bëri vetëvrasje.

Halili për dy ditë u kërkua nga organet e rendit nën dyshimin për vrasje, e cila po priste të sillte në jetë fëmijën e saj të parë.

31-vjeçari aktin e vetëvrasjes e kreu në katin e dytë të shtëpisë së tij, e cila ishte e rrethuar nga zyrtarë policorë që po përpiqeshin ta bindnin të dorëzohej. Por, ai i vendosur që të mos binte në duart e autoriteteve, shkrepi plumbin në kokën e tij.

Related Articles