Haziri kërkon drejtësi për eksponentët e LDK-së: Specialja ta konfirmojë pastërtinë e luftës

Haziri kërkon drejtësi për eksponentët e LDK-së: Specialja ta konfirmojë pastërtinë e luftës

Nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri, është shprehur se për herë të tretë Kosova po përballet me të kaluarën e saj për të vendosur drejtësi.

Sipas tij, në rastin e parë administrata e OKB-së përmes UNMIK-ut dhe Tribunalit Ndërkombëtar për ish-Jugosllavi, në rastin e dytë misioni evropian EULEX i cili ka provuar dhe ka marrë masa për të vendosur drejtësi në Kosovë dhe tani Dhomat e Specializuara që përfaqësojnë institucionet e Kosovës, legjislacionin e Kosovës dhe kjo duhet të barazohet me verdiktin e popullit të Kosovës.

Haziri shkroi se praktikisht, Prokuroria e paraqet qëndrimin e institucioneve të Republikës së Kosovës dhe Gjykata jep vullnet në emër të popullit të Kosovës.

Kjo është e vërteta e madhe, thotë ish-kryetari i Gjilanit.

“Kjo zhurmë politike dhe ky debat që është duke u zhvilluar në Prishtinë ka të bëjë me pakënaqësitë në rastin e fillimit të gjykimit kundër ish-presidentit, ish-kryekuvendarëve dhe ish-deputetit të VV-së”, shkroi ai në Facebook.

Madje, ai tha se LDK-ja është përmendur në disa raste, më shumë në komunikata, “por jo në raste tjera të veçanta”.

Prokuroria Speciale kishte argumentuar se në mesin e kundërshtarëve përfshihen edhe personat e lidhur me LDK-në, ata me përkatësi etnike serbe apo rome.

Prokuroria pati thënë se anëtarët ose mbështetësit e LDK-së dhe të udhëheqësit të saj në atë kohë, Ibrahim Rugova, konsideroheshin kundërshtarë të UÇK-së dhe në disa raste janë etiketuar me termin “kolaboracionistë”.

E për Hazirin, ende nuk janë parë emrat apo eksponentët e LDK-së që të jenë subjekt i zbardhjes së drejtësisë.

Ai tha se beson që drejtësia nga Specialja të jetë e barabartë për të gjithë e të konfirmohet pastërtia e luftës.

“Derisa nuk kemi zbardhje të fakteve në rastet e veçanta për emrat e veçantë. Ne nuk kemi parë emra dhe eksponentë të LDK-së që do të jenë subjekt i zbardhjes së drejtësisë. Besojmë shumë që drejtësia e vendosur përmes Dhomave të Specializuara do të jetë e barabartë për të gjithë dhe uroj që pastërtia e luftës dhe pastërtia e kryengritjes dhe rezistencës politike dhe ushtarake të konfirmohet jo në dëm të askujt, duke përfshirë jo vetëm pakicat etnike, por edhe individët”, vijoi Haziri.

“Në këtë rrafsh, e vërteta e madhe është që drejtësi duhet të vendoset për të gjithë dhe kompensimi me drejtësi për viktimat dhe rastet që Dhomat e Specializuara i kanë në hetime, duhet të vendoset po ashtu”, theksoi Haziri.

Related Articles