Haziri njofton se kur do të fillojë vaksinimi masiv i qytetarëve kundër COVID-19 në Gjilan

Haziri njofton se kur do të fillojë vaksinimi masiv i qytetarëve kundër COVID-19 në Gjilan

Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, në takimin e mbajtur sot me përfaqësuesit ndër-institucionalë të Komitetit për menaxhimin dhe parandalimin e përhapjes së COVID-19, ka konfirmuar se janë bërë të gjitha përgatitjet që me 15 qershor të nis vaksinimi masiv i qytetarëve, raporton Gazeta Enigma.

Kjo do të bëhet në bazë të kritereve për vaksinim, në palestrën e sporteve “Bashkim Selishta – Petrit”, që do të bëhet nga 20 ekipe të vaksinimit.

“Për gjithçka rreth vaksinimit do të bëhet njoftimi i qartë. Kategorizimi bëhet në bazë të moshës dhe i gjithë procesi do të shkojë në bazë të planit dhe në koordinim me të gjitha institucionet për të mbajtur rregull dhe rend. Komiteti i Emergjencave do të jetë vazhdimisht mbikëqyrës i këtij procesi dhe natyrisht edhe Ministria e Shëndetësisë. Është konfirmuar se ka vaksina të mjaftueshme për vaksinimin e çdo qytetari. Gjithashtu, vaksinimi i fazës së dytë sipas kalendarit do të bëhet për të gjitha ata që kanë marrë tashmë dozën e parë”, ka njoftuar Haziri.

Ai ka falënderuar Ambasadën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë, për donacionin e fundit që Gjilanit i ka siguruar 2,500 teste rapide.

“Gjithashtu edhe Qendra Rajonale e Shëndetit Publik është furnizuar me të gjitha llojet e testeve dhe nuk ka asnjë problem për qytetarët që kërkojnë shërbime të testimit brenda orarit të punës dhe në bazë të protokollit të institucionit shëndetësor”, ka theksuar ai.

Hazari pohoi se testimet edhe më tutje do të vazhdojnë në grup mosha të caktuara apo grupe të tjera të interesit, varësisht nga vlerësimi i QRSHP-së.

Gjithashtu duke përshkruar gjendjen me COVID-19, ai ka konfirmuar Gjilani është në rrugë të mirë të një Komune pa Covid-19 dhe kjo bazuar në shifrat zyrtare të institucioneve të shtetit, që paraqesin rënie të infeksionit vazhdimisht, falë lojalitetit të lartë qytetarë për ruajtje të distancës dhe preventivës në përgjithësi.

Related Articles