Në linjën hekurudhore Prishtinë-Pejë ka ndodhur një akt i ulët nga individë të papërgjegjshëm, të cilët kanë hedhur gurë mbi trasenë hekurudhore, njoftoi Ndërmarrja Infrakos.
Hedhja e gurëve u bë në dalje të stacionit Cerrovikë, respektivisht në kilometrin 37+500.
“Falë vigjilencës dhe profesionalizmit të makinistëve të trenit (Trasa 761), është shmangur një fatkeqësi e mundshme, duke mbrojtur jetën e qindra udhëtarëve që po përdornin këtë linjë për udhëtim”, thuhet në njoftimin e Infrakos-it.
Infrakos dhe Trainkos dënuan ashpër këtë akt të papranueshëm, “i cili ka cenuar sigurinë e vendit dhe ka vënë në rrezik serioz jetën e shumë qytetarëve të pranishëm në trenin e linjës”.
“Vendosja e pengesës në një lokacion të përzgjedhur siç është rrezja e kthesës me kufizim të dukshmërisë në pamje ka rrezikuar daljen e trenit nga shinat, andaj na bën të besojmë se ky nuk është një akt i thjeshtë, por një veprim që duhet të vëjë në lëvizje organet e rendit”, thuhet tutje në komunikatë.
“Për këtë arsye, Infrakos dhe Trainkos u bëjnë thirrje organeve të sigurisë që të hetojnë dhe të zbardhin sa më shpejt këtë veprim të rrezikshëm, duke siguruar që autorët të marrin dënimin e merituar”.
“Hekurudhat e Kosovës mbeten të përkushtuara për të ofruar shërbime të sigurta dhe të besueshme për qytetarët e vendit”, thuhet në fund të komunikatës. /Gazeta Enigma