Diplomati i pensionuar amerikan, Christopher Hill dëshmoi për ditën e dytë në mbrojtje të ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi në Gjykatën Speciale në Hagë. Hill ishte i dërguari i posaçëm i Shteteve të Bashkuara gjatë periudhës së luftës në Kosovë. Ai do ta vazhdojë dëshminë edhe nesër në orën 9:00.
Edhe në ditën e dytë të dëshmisë, ai foli për rolin e Hashim Thaçit gjatë luftës së viteve 1998-1999 në Kosovë.
Në fillim, Hill u mor në pyetje nga avokati i Thaçit, Lluka Misetiq, i cili ndër të tjera e pyeti Hillin pse ka vendosur të marrë pjesë në këtë proces gjyqësor. Hill ka thënë se nuk besonte, dhe as nuk kishte dëgjuar që Thaçi të kishte urdhëruar në kohë të luftës aktivitete të paligjshme, prandaj e ndjeu të nevojshme që të thoshte atë që dinte.
Më pas, fjalën e ka marrë avokati i Jakup Krasniqit. Përgjatë asaj kohe, Hill ka deklaruar se nuk ka besuar që Jakup Krasniqi ka qenë një nga figurat kryesore në UÇK.
Në fakt, sipas Hillit, ky ka qenë problem i madh për amerikanët, meqë u është dashur të bëjnë udhëtime të rrezikshme nëpër zona të ndryshme të konfliktit në Kosovë, në përpjekje për të gjetur njerëz që mund të flisnin në emër të grupit, që më pas të mund të negocionin me ta.
Ai ka thënë përgjatë dëshmisë së tij se ka qenë i vetëdijshëm për mospajtimet mes shqiptarëve, por që ky aspekt nuk ka qenë shqetësim për të, meqë misioni i tij ka qenë ndalja e luftimeve mes shqiptarëve dhe serbëve.
Hill tha se nuk e mban mend të ketë thënë ndonjëherë se Rexhep Selimi – një nga të akuzuarit në këtë proces – mbante pozitë të lartë në UÇK, “por kishte qëndrime të vlefshme”.
Hill dëshmoi se nuk është i sigurt nëse Hashim Thaçi ka qenë një ndër themeluesit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
“Nuk e di nëse Hashim Thaci ka qenë njëri nga themeluesit e UÇK-së dhe fakti që unë nuk e kam hasur emrin e tij deri më vonë gjatë vitit, me sugjeron që ai nuk ka qenë”, tha Hill.
Ai gjithashtu tha se nuk mbante në mend që çështje të personave të ndaluar nga UÇK-ja ishin diskutuar në takimet e tij me Thaçin dhe pjesëtarë të tjerë të UÇK-së në Kosovë gjatë vitit 1998.
