Gjykata Supreme e Kosovës ka marrë aktgjykim duke e shpallur si të paligjshëm kufizimin kohor për njohjen e kualifikimeve arsimore në pensionet kontribut-paguese.
Ky aktgjykim i kësaj gjykatë është marrë, pasi ajo e ka aprovuar si të bazuar kërkesëpadinë e paditësit Sh.S., kundër Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve.
Me këtë aktgjykim, Gjykata Supreme ka shpallur të paligjshëm dhe ka shfuqizuar paragrafin 5 të nenit 5 të Udhëzimit Administrativ Nr. 09/2015 (MPMS), i cili rregullon kategorizimin e shfrytëzuesve të pensionit kontribut-pagues sipas strukturës kualifikuese dhe kohëzgjatjes së pagesës së kontributeve.
“Gjykata vlerëson se dispozita e kontestuar, e cila kërkonte që dëshmitë për kualifikim arsimor të jenë të fituara para datës 01.01.1991, nuk ka bazë ligjore dhe përbën tejkalim të autorizimit të dhënë me ligj. Sipas arsyetimit të aktgjykimit, ligji përkatës për skemat pensionale nuk e lidhin të drejtën në pension me kohën e fitimit të kualifikimit arsimor, por me pagesën e kontributeve dhe përmbushjen e kushteve ligjore.”, thuhet në njoftim.
Po ashtu, Gjykata Supreme vlerëson se kufizimi i vendosur është arbitrar, pa ndonjë qëllim të qartë legjitim dhe joproporcional, pasi përjashton një kategori të tërë pensionistësh kontribut-pagues që kanë përmbushur kushtet ligjore, vetëm për shkak të kohës së fitimit të kualifikimit të tyre arsimor.
“Një dispozitë e tillë cenon edhe parimin e barazisë para ligjit dhe sigurinë juridike, duke krijuar dallim të pajustifikuar ndërmjet pensionistëve që ndodhen në rrethana të njëjta sa i përket kontributeve dhe stazhit pensional. Gjykata Supreme vlerëson se dispozita e shfuqizuar është në kundërshtim me Ligjin për Skemat Pensionale të Financuara nga Shteti dhe cenon parimet themelore të rendit juridik, duke vendosur një kufizim të pabazuar dhe diskriminues për përfituesit e pensionit kontribut-pagues.”, thuhet në njoftim.
