Historia e ambasadorëve të Amerikës në Kosovë (VIDEO)

Historia e ambasadorëve të Amerikës në Kosovë (VIDEO)

Ditën që u shpall pavarësia e Kosovës, më 17 shkurt 2008, Tina Kaidanov u bë ambasadorja e parë e Amerikës në republikën e re.

Deri në këtë datë ajo ishte shefe e misionit të SHBA-së në Prishtinë, pozitë kjo nga e cila bëri çmos ta çojë vendin e administruar nga OKB-ja drejt shtetësisë së plotë.

Kjo diplomate njihej për qëndrime të forta politike, ndërkohë Lëvizja Vetëvendosje e paraqiste si mbretëreshë, së cilës i përkulen udhëheqësit e republikës.

Në pozitën e ambasadores ajo u pasua nga Christopher Dell, në maj të vitit 2009. Në kohën e tij u nënshkrua kontrata për ndërtimin e autostradës “Ibrahim Rugova” dhe kjo punë iu besua firmës amerikane Bechtel, bashkë me atë turke Enka.

Por, përtej kësaj, Dell mbahet mend edhe për interesimin e shtuar në politikën kosovare, sidomos për zgjedhjen e përkohshme të Behgjet Pacollit president.

Amerikani ndodhej në sallën e parlamentit kur këmbeheshin mesazhe të forta nga pjesa e mysafirëve solemnë te telefoni i kryetarit të AKR-së, që priste të bëhej kryetar.

Dell ka pranuar se dha angazhim edhe për ta bërë Atifete Jahjagën kryetare të Kosovës, kur Pacolli u shpall i pavlefshëm nga Gjykata Kushtetuese.

Me zarfe jo, por e drejtpërdrejtë me politikanët vendorë ishte ambasadorja e radhës, Tracey Ann Jacobson.

Ajo, e nervozuar nga çfarë po ndodhte, përdori edhe fjalë të habitshme për një diplomate, kur kritikoi kosovarët më 2014.

Jacobson pati edhe një moment të hidhur si ambasadore, kur u pengua nga aktivistë të Vetëvendosjes për të hyrë në Kuvend, ku pritej nënshkrimi i akordit Kosovë-Serbi të 19 prillit 2013 në Bruksel.

Kësaj i mbahet mend edhe deklarata se Gjykata Speciale do t’i kishte jo më shumë se 10 raste.

E një zhvillim interesant rreth këtij institucioni do të ishte kryememorja e punës së ambasadorit të radhës, Greg Delawie. Ky u desh të japë mesazhe të forta që vinin direkt nga Uashingtoni, rreth planit të disa deputetëve për zhbërjen e Speciales, në fund të 2017-ës.

I dërguari amerikan i radhës, Philip Kosnett, është ndër të rrallët ambasadorë që mbeti disi nën hije. Kjo për faktin se në mandatin e tij, presidenti Donald Trump caktoi Richard Grenellin si Emisar Special për Dialogun.

Sidoqoftë, nuk ishte ky, por Kosnett, që në fund të mandatit, e bëri të qartë se Amerika kurrë nuk e përkrahu ndryshimin e kufijve dhe betonizoi qëndrimin se Uashingtoni do ujdi me njohje të ndërsjellë Kosovë-Serbi.

Se për çfarë do të mbahet mend ambasadori i ri, Jeffrey Hovenier, që mori detyrën të hënën, nuk dihet saktë.

Gjasat janë të mëdha që në mandatin e tij të arrihet marrëveshja finale Kosovë-Serbi./Gazeta Enigma/

Related Articles