Kosova të shtunën mbrëma ka arritur sukses historik në futboll.
Më fitoren 2:0 në stadiumin “Stozhice” në Lubjanë ndaj Sllovenisë, Kosova e ka siguruar plejofin e Kampionatit Botëror 2026, që në vitin tjetër organizohet në Kanada, Meksikë dhe SHBA.
Golin e parë për Kosovën të shtunën mbrëma e realizoi Fisnik Asllani në minutën e gjashtë. Për 2:0 në portën e vet shënoi mbrojtësi Zhan Karniçnik, në minutën e 64-t.
Nga minuta e 53-të, Sllovenia luajti pa Petar Stojanoviqin, që mori dy kartonë të verdhë. Në të dyja rastet u ndëshkua pas dueleve që i pati me Dion Gallapenin, mbrojtësin e majtë të Kosovës.
Ndeshjen e fundit në grup, Kosova e luan ndaj Zvicrës më 18 nëntor në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë. Kosova e siguron pozitën e dytë me dhjetë pikë, tri më pak se Zvicra që fitoi ndaj Suedisë. Renditja përcaktohet pas pikëve me goldallim. E këtu Zvicra ka diferencë të madhe me 11 gola goldallim, ndërsa Kosova ka vetëm një gol goldallim.
Sllovenia me tri pikë dhe Suedia e fundit me një pikë zënë vendet e fundit në Grupin B.
