Fahrie Hoti, udhëheqësja e kooperativës “Krusha” ka folur për postimin e ambasadorit të Kosovës në Arabi Saudite, Lulzim Mjeku, i cili ka thënë se po i promovon produktet e “Krushës”.
Ajo ka thënë se ambasadori nuk ka qenë asnjëherë në kooperativën e tyre.
Sipas saj, në Arabinë Saudite produktet e Krushës kanë shkuar shumë më herët nga njerëz të tjerë.
Hoti në emisionin në KTV ka thënë se, gratë e Krushës promovimin e produkteve të tyre e kanë bërë vet.
LEXO EDHE: Ajvari i Krushës promovohet në Arabi nga Ambasadori i Kosovës
“Tash jemi të promovuar gati në gjithë Evropën dhe në SHBA. Janë diku 5 vjet që ne kemi mbërri në 11 shtete. Ajvari dhe produktet tona janë të njohura dhe neve na mbetet vetëm me i plasu. Produktet më së shumti kërkohen atje ku ka bashkatdhetarë, por e marrin edhe shtetasit e huaj”, ka thënë ajo.
Hoti ka thënë se që prej filmit “Zgjoi” ka pasur interesim të njerëzve po ashtu edhe të mediave të huaja për të dëgjuar historinë e saj.
Ajo tutje ka shtuar se nëse filmi do të hyjë në pesëshen e parë për Oscar, do të jetë e pranishme atje.
Hoti thotë se asnjëherë nuk e ka pritur suksesin e filmit.
“Jam shumë e kënaqur me rolin e Yllka Gashit dhe mënyrën se si më ka portretizuar. Në këtë kohë kemi fluks të prodhimit, ku i mbushim kavanozat dhe pastaj i shpërndajmë në Evropë. Institucionet na kanë ndihmuar në fillim sa i përket kooperativës, tash ndihmohemi nga ndërkombëtarët. Në vitin 2022 shpresojmë që të aplikojmë për makineri”, ka thënë ajo. / Gazeta Enigma.
Promoting #Kosovo #Krusha ajvar with Mr. Abdulhakim Alhashim in order to make it way to the Saudi tables. pic.twitter.com/u7618hVoVb— Lulzim Mjeku (@LulzimMjeku) February 2, 2022