Deputeti i Lidhjes Demkratike të Kosovës, Avdullah Hoti, ka komentuar të dhënat e Pulsit Publik, anketë kjo e realizuar nga UNDP në Kosovë për muajin maj të këtij viti.
Në të dhënat e fundit, ka dalë se kënaqshmëria qytetare me institucionet qendrore të vendit ka shënuar rritje në krahasim me gjashtë muaj më parë, kur është bërë edhe matja paraprake.
Por, ish-kryeministri Hoti po thotë se këto rezultate dëshmojnë vetëm një gjë, “se kjo qeveri është e mirë vetëm në shpërndarjen e propagandës”.
Më tutje, Hoti publikoi një listë me premtime të cilat, sipas tij, nuk janë realizuar nga Qeveria Kurti.
“Me çka janë të kënaqur qytetarët: Me 160 çerdhe që kurrë nuk u ndërtuan? Me 4,000 banesa me çmime të përballueshme që as nuk u përmendën? Me mungesën e njohjeve apo anëtarësimeve për Kosovën? Me rënien e rezultatit arsimore siç dëshmon testi PISA? Me largimin e mjekëve nga Kosova? Me largimin e 200,000 qytetarëve nga Kosova? Me 10 shkeljet e Kushtetutës? Me aferat për korrupsion e nepotizmin masiv? Me ndërtimin e urës në Saradran? Me sulmet ndaj mediave e gazetarëve?”, shkroi Hoti.
Sipas tij, niveli i propagandës së qeverisë “shkon aq larg sa që qytetarët janë të bindur se kjo qeveri ka dhënë rezultate edhe aty ku nuk ka fare përgjegjësi – uljen e korrupsionit në organizatat ndërkombëtare nga 23.8% në 13.7%. Prandaj këso lloj matjesh nuk kanë asnjë kuptim”.
Avdullah Hoti thotë se matjet janë kontradiktore sepse “53.3% e qytetarëve janë të kënaqur me punën e qeverisë, e po ashtu 53.3% të qytetarëve vlerësojnë se varfëria, papunësia, çmimet e larta dhe shërbimet e dobëta mjekësore janë problemet më të mëdha (varfëria 16.6%, papunësia 16.3%, çmimet e larta 12.7 dhe shërbimet shëndetësore 7.7%, që është gjithsej 53.3%)”.
Deputeti i LDK-së e quajti qeverinë “mashtruese” pasi sipas tij, e njëjta në vend se të punojë për zgjidhjen e problemeve të qytetarëve, ajo po bën propagandë.