Hoti: Me 31 janar do të takohemi me delegacionin serb për informata rreth personave të zhdukur

Hoti: Me 31 janar do të takohemi me delegacionin serb për informata rreth personave të zhdukur

Kryetari i delegacionit të Kosovës për Personat e Pagjetur, Andin Hoti, ka njoftuar që me 31 janar, do të takohen me delegacionin serb për të marrë informata nga Serbia rreth personave të zhdukur gjatë luftës.

Hoti tha se pjesë e këtij takimi do të jenë edhe zyrtarë nga BE-ja, ku pritet të merren informatat e kërkuara nga Serbia dhe nëse merren, do të vazhdojnë me gërmime tjera.

Ai tregoi se gërmimet përgjatë vitit të kaluar, janë bërë kryesisht nga informatat e marra nga Komiteti Ndërkombëtarë i Kryqit të Kuq.

“Në fakt me 31 Janar të këtij viti, ne kemi një takim të jashtëzakonshëm të grupit punues, delegacion i Kosovës me të Serbisë, dhe BE-ja besojmë se do të jetë në këtë takim, dhe shumë po shpresojmë që do të marrim informacion ose arkivat që i kemi kërku nga Serbia. Dhe nëse i marrim këto atëherë natyrisht që do të vazhdojmë me gërmime të tjera, por megjithatë vitin 2023 kryesisht i kemi pas gërmimet prej raporteve analitike që i kemi marr prej akterëve të ndryshëm, por kryesisht prej Komitetit Ndërkombëtarë të Kryqit të Kuq”, tha Hoti për Front Online.

Duke marrë parasysh se edhe këto informata që kanë tash janë marrë nga Kryqi i Kuq, ai beson se edhe kësaj radhe do të vazhdojnë me gërmime, por me një intensitet më të madh se viti i kaluar.

“Edhe ato kanë me vazhdu, sepse i kemi pranu të reja prej Kryqit të Kuq, dhe unë po shpresoj, nuk mundem të garantoj, por po shpresoj që kemi me pas një volum edhe më të madh të punës sa që kemi pas në vitin e kaluar”, u shpreh ai.

Ai shtoi se disa lokacione tjera potenciale për gërmime janë edhe në Skenderaj, Prekaz, Podujevë, Prizren dhe Kamenicë.

“Në Skenderaj e kemi edhe një lokacion, kemi qenë në Prekaz, por tani është një lokacion tjetër prapë në Prekaz, në Podujevë kemi me u kthy, në Prizren kemi me u kthy, edhe në Kamenicë kemi me u kthy”, përfundoi ai.

Related Articles