Ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Kosovë, Jeffrey Hovenier, ka thënë se zgjedhjet në katër komunat e banuara me shumicë serbe në veri të vendit ishin ligjore, por sipas tij, asnjë nga kryetarët e zgjedhur nuk mund të pretendojë për një mandat të fortë apo mbështetje nga qytetarët.
Në një intervistë dhënë për RTV21, Hovenier ka thënë se askush nuk duhet të jetë i kënaqur me më pak se 4 për qind të pjesëmarrjes së votuesve në votime.
“Askush nuk duhet të jetë i kënaqur me zgjedhje që rezulton me më pak se 4 për qind të pjesëmarrjes së votuesve në votime. Zgjedhjet ishin ligjore dhe kishte një proces ligjor të kërkuar dhe ne nuk e kontestojmë këtë, por mendoj se është me rëndësi ta kemi në mendje, siç e thashë më parë, dhe këtë e tha edhe QUINT në kumtesën e javës së kaluar, duhet të jemi të kujdesshëm me atë çfarë ndodhi këtu”, ka thënë ai.
Diplomati amerikan ka thënë se kryetarët duhet të kenë rol teknik administrativ.
“Asnjëri nga këta zyrtarë nuk do të mund të pohojë një mandat të fortë apo një mbështetje të fuqishme nga popullata për të cilën tani janë përgjegjës dhe kanë përgjegjësi për të administruar për shkak të pjesëmarrjes së vogël të votuesve. Pra porosia gjatë gjithë këtij procesi ishte, ne i kemi inkurajuar vazhdimisht që të bëjnë punën në përputhje me ligjin por të jeni të mençur politikisht. Tani kemi katër kryetar, një ka marrë detyrën dhe tre të tjerë duhet ta bëjnë këtë. Porosia jonë për kryetarët, dhe kjo nuk është sekrete, se ata duhet ta konsiderojnë veten më shumë në rolin administrativ teknik”, ka thënë Hovenier.
Ai tha se u kanë sugjeruar kryetarëve të rinj që të mos ndërmarrin veprime që do të bënin ndryshime madhore, por ta kryejnë punën e tyre siç kërkohet me ligj.
“Por është punë politike megjithatë realiteti është ashtu siç e thash se besoj se asnjë prej kryetarëve nuk do të jetë i lumtur me 4 për qind, apo në disa raste në komuna te tjera më specifike, me 5 për qind të votuesve të mundshëm aktualisht dolën për të votuar. Ne i kemi inkurajuar ata që ta bëjnë punën e tyre siç kërkohet me ligj, të ofrojnë shërbime për qytetarët, të jenë kryetarë për të gjithë qytetarët, por gjithashtu të mos ndërmarrin veprime që do të sugjeronin se ata kanë mandat që mund të bëjnë ndryshime madhore, të ndërmarrin nisma të re”, ka thënë ai.
Ambasadori Hovenier i ka këshilluar kryetarët e komunave të veriut që të mos i përmbahen orarit për betim në ndonjë vend ku do të ju duhet ta përdorin forcën për të siguruar qasje.