Hovenier për grantin 35 milionë dollarësh: Kjo konfirmon partneritetin e qëndrueshëm të SHBA-së me popullin e Kosovës

Hovenier për grantin 35 milionë dollarësh: Kjo konfirmon partneritetin e qëndrueshëm të SHBA-së me popullin e Kosovës

Ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, është deklaruar lidhur me nënshkrimin e marrëveshjes ndërmjet Kosovës dhe USAID-it, ku tha se me këtë konfirmohet partneriteti afatgjatë dhe i qëndrueshëm i SHBA-së me popullin e Kosovës.

“Ky fond do të mbështesë qëllimet strategjike të SHBA-së për Kosovën përfshirë përpjekjet për avancimin e integrimit të Kosovës në institucionet evropiane dhe euroatlantike, përpjekjet për promovimin e rritjes dhe përparimit ekonomikë si dhe përpjekjet për forcimin e qeverisjes së mirë dhe zhvillimit të institucioneve demokratike”, tha Hovenier.

Sipas tij, të gjitha programet e USAID-it në Kosovë kanë për qëllim të sigurojnë se të gjithë kosovarët kanë qasje efektive dhe të prekshme në shërbimet që ofrojnë institucionet e tyre.

 “Gjithashtu mendojë se është e dobishme të thuhet se nga vitit 1999 ShBA ka investuar më shumë se dy miliardë dollarë për të çuar përpara qëllimet tona të përbashkëta. Ky është manifestim i përkushtimit tonë ndaj popullit të Kosovës”, tha Hovenier.

Ndryshe, në njoftimin për media të Presidencës bëhet e ditur se nënshkrimi i marrëveshjesh për grantin është në vlerë prej 34 milionë e 727 mijë dollarë.

Related Articles