Osmani pas marrëveshjes me ShBA-në: Do të kemi në dispozicion 35 milionë dollarë për projekte që përmirësojnë jetën e qytetarëve

Osmani pas marrëveshjes me ShBA-në: Do të kemi në dispozicion 35 milionë dollarë për projekte që përmirësojnë jetën e qytetarëve

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka falënderuar SHBA-në për përkrahjen e vazhdueshme ndaj Kosovës, pas nënshkrimit të grantit me vlerë 35 milionë dollar.

“Po ju drejtohem pas nënshkrimit të marrëveshjes e cila do të ndikojë drejtpërsëdrejti në plotësimin e objektivave zhvillimore të vendit tonë. Sot së bashku me SHBA-në nënshkruam marrëveshjen për grantin për zhvillim. Si rezultat i saj do të kemi në dispozicion 35 milionë dollar, për projekte të cilat kontribuojnë në përmirësimin e jetës për gjithë qytetarëve”, tha ajo.

Osmani tha se një nga objektivat parësore të kësaj marrëveshjeje është sigurimi i shërbimeve më të mira për të gjithë qytetarët e Kosovës, nëpërmjet ngritjes së kapaciteteve institucionale.

“Në këtë mënyrë do të fuqizohet administrata publike, do të eliminohet burokracia dhe do të promovohet transparenca. Duke llogaritur llogaridhënien dhe efikasitetin brenda institucioneve publike, kjo marrëveshje do të kontribuojë në reduktimin e vazhdueshëm të korrupsionit dhe rritjen e efikasitetit ndaj nevojave të qytetarëve tanë”, tha Osmani.

Presidentja shtoi se “kjo marrëveshje është vazhdim i përkrahjes së SHBA-së ndaj Kosovës”.

“Në emër të gjithë qytetarëve të Kosovës ju falënderoj përzemërsisht”, përfundoi ajo.

Related Articles