Ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Kosovë, Jeffrey Hovenier, tha se plani i Bashkimit Evropian për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi “është marrëveshja më e mirë në dispozicion”, raporton Gazeta Enigma.
Ai tha se gjasat për njohje reciproke midis Kosovës dhe Serbisë “nuk janë shumë të mëdha” tani, për shkak të qëndrimit të Serbisë, por kujtoi se plani i BE-së është i përkohshëm.
I pyetur nëse ka hapësirë për të rinegociuar ose për të krijuar Asociacionin e komunave me shumicë serbe në Kosovë në bazë të kushteve të Kurtit, Hovenier tha se “është e vështirë të rinegociosh diçka që ende nuk është negociuar vërtet”.
Kurti, në fillim të shkurtit, doli me gjashtë kushte për formimin e Asociacionit – mes tjerash: të mos jetë njëetnik, ta ndryshojë emrin dhe të mos ketë pushtet ekzekutiv.
“Ne nuk besojmë se është e përshtatshme për Kosovën që të pajtohet me ndonjë gjë që do të ishte në kundërshtim me Kushtetutën e saj. Ne nuk besojmë se është e përshtatshme që Kosova të zbatojë diçka që nuk është në përputhje me vendimin e Gjykatës Kushtetuese të vitit 2015… Por, brenda tij ka hapësirë të mjaftueshme për [të diskutuar] për atë që do të jetë kjo gjë”, tha Hovenier.
“Çfarëdo që të dalë nga ky proces, do të ketë nevojë për një lloj asociacioni dhe do të duhet të përbëhet nga komunat me shumicë serbe”, theksoi ai.
Hovenier tha se nuk pret që në Ohër të ketë negociata të plota që do të përcaktonin skicën, formën dhe funksionet e Asociacionit, por tha se pret të ketë një mirëkuptim për ta çuar çështjen përpara.
Ai tha se nëse në Ohër ka marrëveshje, ajo mund të çojë edhe në pjesëmarrjen e serbëve në zgjedhjet lokale në veri të Kosovës.
Komuniteti serb në Mitrovicë të Veriut, Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq ka dhënë dorëheqje nga institucionet e Kosovës në nëntor, duke kundërshtuar një vendim të Qeverisë së Kosovës për të riregjistruar makinat me targa të Serbisë në targa të Kosovës.
“Do ta mirëprisnim pjesëmarrjen e serbëve në ato zgjedhje dhe do ta mirëprisnim mbajtjen e tyre në rrethana sigurie dhe dinjiteti. Nuk mund të them se çfarë do të ndodhë në të vërtetë… por, kjo mbetet shpresa jonë”, tha Hovenier.