Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeffrey Hovenier, ka thënë në një intervistë për Radion Evropa e Lirë se themelimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe është ndër hapat e parë që duhet t’i ndërmarrë Kosova për zbatimin e marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, të arritur në Ohër me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian.
“Nëse e dëgjoni më vëmendje atë që ka thënë Josep Borrell pas takimit në Bruksel, ai ka thënë se si rrugë përpara janë dy pista paralele. Nevoja për të ecur përpara me një proces të besueshëm për hartimin e statutit të Asociacionit, është një pjesë e kësaj”.
“Dhe kjo është gjëja kryesore që ne ja kemi kërkuar Kosovës. Është gjëja më e vështirë por gjëja kryesore që ne ja kemi kërkuar Kosovës në lidhje me zbatimin e marrëveshjes së Ohrit. Por njëkohësisht do të punohej në këto gjërat politike, në zbatimin e angazhimeve për normalizim të marrëdhënieve”, ka deklaruar Hovenier.
Ai thotë se këto procese paralele janë shumë normale për një vëzhgues të jashtëm të situatës në Kosovë.
“Për një vëzhgues të jashtëm kjo gjë duket e arsyeshme, procese paralele, pista paralele. Duhet të jepni pak dhe të merrni pak”.
Hovenier thotë se në fund të fundit do të ndodhin edhe Asociacioni edhe normalizimi i raporteve.
“Kosova duhet të fillojë ta çojë para Asociacionin. Kjo duhet të jetë ndër hapat e parë. Kjo është ajo që ne kemi thënë për një kohë të gjatë. Ka një urgjencë për këtë”, ka deklaruar Hovenier.
Ambasadori i SHBA-së në Kosovë thotë se gjithashtu edhe Serbia duhet t’i përmbushë detyrimet e saj nga Marrëveshja e Ohrit.