Ambasadori i SHBA-së në Prishtinë, Jeffrey Hovenier tha se e mirëpresin vendimin e Kosovës për ta pranuar në parim propozimin e BE-së për marrëveshjen me Serbinë.
Hovenier shkroi në Twitter se do të vazhdojnë ta mbështesin dialogun Kosovë-Serbi.
“Shtetet e Bashkuara janë të inkurajuara dhe mirëpresin vendimin e Kosovës për ta pranuar në parim Propozimin e BE-së dhe ne do të vazhdojmë ta ofrojmë mbështetjen tonë të plotë për Dialogun e lehtësuar nga BE-ja”, shkroi ai.
“Marrëveshja e përkohshme do të sjellë përfitime të konsiderueshme si për Kosovën ashtu edhe për Serbinë”, theksoi Hovenier.
Ambasadori amerikan me këtë rast shpërndau edhe ‘tweet’-in e emisarit europian për dialogun, Miroslav Lajçak, i cili paralajmëroi një takim të nivelit të lartë ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit serb, Aleksandar Vuçiq.
Kurti të hënën u takua me Lajçakun dhe pas takimit tha se e pranojnë propozimin europian për marrëveshjen me Serbinë.