Për Arbnor Spahiun, ish-pjesëtarin e njësisë speciale policore të Kosovës të arrestuar nga shteti i Serbisë, Drejtori i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, tha se kanë dorëzuar dëshmi që i njëjti nuk ka qenë pjesë e forcës policore që nga viti 2022.
Serbia e akuzon Spahiun për “vrasje të rëndë” në sulmin paraushtarak të Millan Radojçiqit dhe grupës së tij në Banjskë.
“Në rastin e fundit, po, ndalimi ish-zyrtarit tonë policor Spahiu është në vazhdën e këtyre përpjekjeve të Serbisë për të frikësuar dhe për të ndërruar imazhin tonë, Policisë së Kosovës, por edhe për të dekurajuar zyrtarët policor për t’i kryer punët e veta besoj se do të dështoi. Ai ka qenë ish-zyrtar policor, por i njëjti ka dhënë dorëheqje nga Policia e Kosovës në vitin 2022. Akuza sa pashë në medie gjatë ditës së djeshme për pjesëmarrjen në operacionin e Banjskes nuk qëndron fare, ai nuk ka qenë pjesë e operacioneve që nga vitit 2022 ai nuk jeton në Kosovës me bashkëshorten e tij jeton në Gjermani”, tha Hoxha në Teve1.
Sipas drejtorit Hoxha, eprorët e njësisë ku ka shërbyer ish-zyrtari policor, tashmë kanë dërguar dokumentacione te autoritetet serbe për të dëshmuar se i njëjti nuk është pjese Policisë së Kosovës.Hoxha ka edhe një thirrje për të gjithë zyrtarët policorë.
“Ne jemi në kontakt me avokatin e tij përmes eprorëve ku ka shërbyer kolegu ynë, do të ofrojmë çdo dokumentacion të nevojshëm që ai të lirohet sa më parë nga procedurat ligjore që Serbia në mënyrë të padrejtë po i ndjek ndaj tij, ti kthehet familjes besojmë se drejtësia do të triumfoj me gjithë se në Serbi është goxha problem me besu në këtë çështje, fakti është që ai nuk është Polic i Kosovës nuk ka qenë pjesëmarrës në Bansjkë dhe kjo është dokumentuar me çdo dokument të nevojshëm të cilat ne vetëm se i kemi përcjellë tek avokati i tij, z.Arianit Koci. Po ashtu ne i bëjmë thirrje edhe policëve tanë edhe këtyre që shërbejnë aktualisht po edhe ata që nuk janë pjesë e Policisë, që të shmangin çdo udhëtim drejtë Serbisë”, ka thënë drejtori i PK-së.