Ushtruesi i detyrës së kryetarit të PDK-së, Enver Hoxhaj ka thënë se Kurti si kryeministër do të duhej që të sillte në Kuvend një platformë për dialogun. Sipas Hoxhajt, Kurti pasi të dorëzojë një platformë e tillë, do të duhej ta ftonte për takime opozitën, shkruan Gazeta Express.
Ndër të tjera Hoxhaj tha se Kurti tani është pa platformë, pa vizion dhe duke ikur nga zotimet e tij.
“Albin Kurti, si kryeministër, do të duhej ta sillte në Kuvend një platformë që do t’i ngërthente në vete parimet, qëllimet, afatet kohore dhe vijat e kuqe të dialogut. Vetëm pasi të dorëzohej një platformë e tillë, atëherë të vinte një ftesë për opozitën. Sot për sot, ai është pa platformë, pa vizion dhe po ikë nga zotimet e tij. Këtë, ai e vërtetoi edhe me mbështetjen për krijimin e Jugosllavisë së Re. Opozita nuk ka pse të bëhet pjesë e këtyre mashtrimeve”, ka shkruar Hoxhaj në një postim në “Facebook”.