Ish-ministri i Punëve të Jashtme, Enver Hoxhaj, ka thënë se presidenti rus, Vladimir Putin, ka bërë përpjekje për ta përdorur Kosovën si antitezë në raport me vendet e Perëndimit.
Hoxhaj duke folur në dokumentarin “VIRUSSIA” që behët fjalë për propagandën dhe dezinformatat ruse shpjegon se, Federata e Rusisë ka prodhuar një narracion të rrejshëm për Kosovën.
“Vladimir Putin ka bërë përpjekje që ta përdor Kosovën si antitezë në raport me Perëndimin, me qëllim që ta ndjekë një politikë të ndërhyrjes në shtete sovrane, të shkeljes së integritetit të tyre territorial, të copëtimit të territoreve dhe bashkimit të këtyre territoreve me Rusinë. Dhe këtë e ka bërë prej verës të 2008-së, ku ka filluar fillimisht lufta mes Rusisë dhe Gjeorgjisë për Abhazinë dhe Osetinë Jugore, e deri te Transnistria dhe së fundi aneksimi i Krimesë, i cili ka qenë totalisht i jashtëligjshëm dhe i cili nuk ka asnjë bazë”, thotë Hoxhaj.
Ai shton se Rusia vazhdimisht prodhon trillime dhe gënjeshtra në raport me vendin tonë.
“Nuk ka vend i cili ka prodhuar një narracion të rrejshëm për Kosovën, trillime të ndryshme, gënjeshtra të ndryshme në raport me Kosovën sikurse ka prodhuar Rusia”, shton ai.