Humbën për disa orë në Brezovicë, shpëtohen nga Shërbimi i Kërkimit Malor

Humbën për disa orë në Brezovicë, shpëtohen nga Shërbimi i Kërkimit Malor

Shërbimi i Kërkim-Shpëtimit Malor i Kosovës, ka njoftuar se ka shpëtuar një grup skitarësh në Brezovicë.

Grupi i skitarëve e kishin telefonuar Shërbimin e Kërkimit, derisa këta të fundit pas marrjes së thirrjes menjëherë ishin aktivizuar dhe përmes koordinatave kishte nisur kërkimin e tyre.

“Me pranimin e koordinatave menjëherë identifikohet lokacion se ku gjendeshin, dhe jepen instruksionet që mos të lëviznin nga vendi dhe të qëndronin të sigurt. Me një koordinim të shpejtë arrihet organizimi dhe fillimi i operacionit pas një kohë shumë të shkurtë. Anëtarët :Bardhosh Morina, Donat Hoti dhe dy bjeshkatarë lokalë nga komuna e Shtërpcës Nikola Grbic, Sinisa Cumpalovic pajisjen dhe nisen në drejtim të koordinatave të dërguara”, thuhet në njoftim.

Tutje tregohet ngjarja se në ora 19:40, kërkim shpëtimi ka arritur në vendin e incidentit dhe për shkak të kushteve të rënduara dhe dukshmërisë nuk mundën të takohen, por vetëm dëgjojnë zërin e njëri tjetrit.

Ndërsa në 20:40 pas një ngjitjeje dhe orientimi në kushte ekstreme arrihet me shumë vështirësi gjetja dhe shpëtimi i të humburve.

“Duhet të ceket që operacioni ka pasur shumë vështirësi pasi që edhe komunikimi me telefon me të humburit është ndërprerë shkaku i ndaljes së telefonave nga i ftohti i madh”, thuhet tutje.

Derisa, në orën 22:00 kishte përfunduar evakuimi i të humburve në qendrën skitare.

Personat e humbur janë shoqëruar me kujdes deri në qendër në gjendje stabile shëndetësore, gjendja e tyre është e mirë dhe vazhdojnë të ngrohen dhe stabilizohet pasi që ishin të ekspozuar në kushte atmosferike ekstreme.

Udhëheqësit e ShKShMK janë koordinuar me policinë e Kosovës dhe institucionet e tjera deri në përfundimin e operacionit.

“Falënderojmë përzemërsisht të gjithë pjesëmarrësit për profesionalizëm dhe shpirtin human, duke realizuar një operacion të suksesshëm të Kërkim Shpëtimit Malor, është  evituar një tragjedi e pa shmangshme”. /Gazeta Enigma/.

Related Articles