I mashtroi tre persona se do t’ua rregullonte vizat kroate, i akuzuari nuk shkoi në gjykatë, do të dërgohet me forcë

I mashtroi tre persona se do t’ua rregullonte vizat kroate, i akuzuari nuk shkoi në gjykatë, do të dërgohet me forcë

Gjykata Themelore në Gjilan dega në Viti mësohet se do të lëshojë urdhëresë për sjellje me forcë ndaj të akuzuarit A.Q, i cili mungoi pa arsye në seancën e së mërkurës.



A. Q akuzohet se ka mashtruar të dëmtuarit duke iu premtuar se do t’ua rregulloj vizat kroate.

Gjykatësja Drane Simani deklaroi se i akuzuari është ftuar në mënyrë të rregullt, me procesverbal nga seanca e kaluar, por që mungesën e tij nuk e ka arsyetuar.

Në mungesë të kushteve ligjore për mbajtjen e kësaj seance, gjykatësja njoftoi se seanca e radhës për këtë rast do të mbahet më 18 janar 2022 dhe ndaj të akuzuarit do të lëshohet urdhëresë për sjellje me forcë në seancë.

Ndryshe, prezent në sallë të gjykimit ishte prokurorja Leonora Kadriu, dhe dëshmitarët Skender dhe Xhafer Ajeti.

Sipas aktakuzës së ngritur më 15 shkurt 2019, A.Q akuzohet se dhjetor të vitit 2018, tek një supermarket në Viti, me qëllim të përvetësimit të kundërligjshëm pasuror për vete, me paraqitje të rreme të fakteve, i vë në lajthitje të dëmtuarit S.A, nga i cili ka pranuar 400 euro dhe vëllain e tij Xh.A, nga i cili ka pranuar 350 euro.

Në aktakuzë thuhet se këto shuma i ka marrë me pretendimin se do t’ua rregullojë vizat Kroate, derisa M.A ia ka marrë 500 euro, kinse për rregullimin e statusit të veteranit të luftës në Kroaci.

Me këtë ai akuzohet ka kryer veprën penale, “Mashtrimi” nga neni 354, paragrafi 1 të Kodit Penal. /BetimipërDrejtësi/

Related Articles