Një rast i rëndë ka ndodhur të enjten në Durrës, ku një i ri u mbyt në det, pasi ndihmoi dy të mitur të dalin prej tij. Është bërë e ditur se i riu që u mbyt ishte Anri Kashiku, futbollist i Akademisë “Shqiponja 2017”.
“I tronditur nga lajmi tragjik i ndarjes së papritur nga jeta i Anri Kashikut, djaloshit 18-vjeçar nga Durrësi. Nuk ka fjalë për të përshkruar këtë ngjarje të rëndë. Përveçse një hero, Anri, i cili shpëtoi nga mbytja në det dy fëmijë para se të mposhtej pabesisht nga dallgët e detit, ishte edhe një futbollist i perspektivës me Akademinë Shqiponja 2017. Dua t’i shpreh ngushëllimet më të thella familjes së tij, të afërmve, shokëve e drejtuesve të skuadrës në këtë moment të vështirë”, ka shkruar presidenti i FSHF-së, Armando Duka.
Mediat tiranase kanë njoftuar se 18-vjeçari u fut në det për të shpëtuar vëllain e tij 15-vjeçar dhe një shok të tij.
Ai fillimisht ishte nisur me një mjet lundrimi me pedale, por kur mjeti filloi të zhytej ka vazhduar me not. Ka shtyrë fëmijët drejt bregut, por vet nuk ka mundur të dalë nga deti.