Drenica ka siguruar rikthimin në elitën e futbollit kosovar duke u shpallur kampione e Grupit A në Ligën e Parë.
Fitorja bindëse ndaj Istogut me rezultat 3:0 i dha skuadrës titullin një xhiro para përfundimit të sezonit.
Ndeshja u zhvillua në Skenderaj dhe u dominua nga vendasit, me sulmuesin 19-vjeçar Igball Jashari që shkëlqeu duke realizuar të tri golat e takimit.
Ai hapi serinë e golave në minutën e nëntë, për të dyfishuar epërsinë dy minuta më pas, ndërsa në pjesën e dytë, konkretisht në minutën e 51-të, kompletoi tregolëshin personal.
Me këtë fitore, Drenica ngjitet në kuotën e 55 pikëve, duke siguruar vendin e parë në tabelë.
Në xhiron e fundit, ata do të udhëtojnë për t’u përballur me Rahovecin.
Ndërkohë, në pozitën e dytë që dërgon në ndeshjen e barazhit mbetet Liria me 48 pikë.